English

Vlorë, Policia Parandalon Grabitjet, Arreston Dy Të Dyshuarit

VLORË, 2 Korrik/ATSH-H.Koçi/.-Policia e Vlorës arriti të parandalojë sot grabitjen e disa objekteve nga persona të armatosur e të maskuar. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se rreth orës 02.30 u finalizua operacioni i koduar "Maskat", gjatë të cilit u arrestuan dy persona të dyshuar, se në bashkëpunim me njeri- tjetrin, do të realizonin grabitjen me armë dhe maska të disa pikave të furnizimit me karburant dhe banesa, në një nga lagjet e qytetit të Vlorës. "Si rezultat i punës së mirëorganizuar u bë i mundur parandalimi i grabitjeve, si dhe kapja dhe arrestimi në flagrancë në momentin që do të kryenin një nga këto vepra penale, i shtetasve Viktor Nuredinaj, 39 vjeç dhe Lodian Zykaj, 30 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës", bënë të ditur burimet zyrtare. Sipas tyre, dy të arrestuarëve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë automatike të llojit "Kallashnikov", model 56, një armë pistoletë, katër maska, fishekë dhe 5 palë doreza të gomuara si dhe një sasi ushqimi me përmbajtje helmi, që do të përdorej për helmimin e qenit të objektit i planifikuar për grabitje. Dy personat akuzohen për veprat penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe sigurimi i mjeteve për vjedhje./s.s./
KOMENTE