English

Sport-Basketboll/ Kombëtaret Shqiptare, Turne Miqësor Në Turqi

- Ekipet kombëtare të basketbollit, më 15-25 korrik do të stërviten në Stamboll -. TIRANË, 3 Korrik/ATSH- Gjergji Mima/ .- Federata Shqiptare e Basketbollit ka konfirmuar sot për ATSH-në, se ekipet kombëtare për meshkuj dhe femra do të udhëtojnë drejt Turqisë më datat 15-25 korrik, ku do të zhvillojnë një fazë përgatitore 10-ditore. FSHB-ja ka arritur një marrëveshje me Federatën Turke të Basketbollit për një stërvitje 10-ditore në Stamboll, ku dhe janë parashikuar ndeshje miqësore me kombëtaret vendase. Të dyja këto ekipe, në periudhën 1-17 gusht, do të zhvillojnë ndeshjet eliminatore të kampionatit europian. Prej më shumë se 2 javësh, në sallën sportive "Fahrie Hoti" në kryeqytet, kombëtarja e meshkujve është duke zhvilluar një kamp stërvitor nën drejtimin e trajnerit të ekipit kombëtar, Mark Dikel. Ky i fundit është duke u stërvitur së bashku me lojtarët e kampionatit shqiptar, ndërkohë që të pranishëm do të jenë edhe basketbollistët që luajnë në Itali dhe Amerikë. Kuqezinjtë, që drejtohen edhe nga Afrim Bilali, në rolin e zv.trajnerit, stërviten 2 herë në ditë. E veçantë stërvitja e mëngjesit, për gati 2 orë, që prej orës 06.30, për të evituar vapën dhe orët e vona të natës së mëparshme. Ndërsa po në 18.30 të pasdites zhvillohet seanca e dytë stërvitore. Sipas stafit drejtues, gjithçka po shkon me ritme të mira dhe ekipi ka dëshirë të bëjë një paraqitje dinjitoze në eliminatoret e europianit. Ndërkohë, që prej ditës së djeshme, në pallatin e sportit "Flamurtari" të qytetit të Vlorës ka nisur faza përgatitore e ekipit kombëtar të femrave në basketboll, që përgatitet për eliminatoret e kampionatit europian. Trajnerët e kombëtares, Toska e Mitku, kanë përzgjedhur 16 basketbolliste nga lista prej 24 lojtaresh të paraqitur në zyrën e FSHB-së dhe ka nisur puna për krijimin e një skuadre dinjitoze në arenën ndërkombëtare. Në përgjithësi, lista përbëhet nga basketbollistet e Flamurtarit, ndërkohë që ka edhe lojtare të Tiranës, Studentit dhe Apolonisë. Tek ekipi është duke u ndërthurur përvoja me elementin e ri, për të krijuar një skuadër kompakte dhe pretendente në këto eliminatore. Ndeshjet e europianit do të nisin më 1 gusht për femrat dhe 8 gusht për meshkujt dhe do të përfundojnë më 17 gusht. Ekipet kuqezi ndodhen në grupin B të Divizionit B, grupe të përbëra nga 5 skuadra. Pra, gjatë një periudhe 2-javore ekipet tona do të luajnë nga 4 ndeshje secila. Kombëtarja e femrave ka në grup Luksemburgun, Estoninë, Bosnjën dhe Zvicrën. Ndërsa kombëtarja e meshkujve ndodhet në grup, së bashku me Azerbajxhanin, Suedinë, Rumaninë dhe Bjellorusinë. Në gusht do të zhvillohen ndeshjet e para eliminatore, ndërsa ndeshjet e kthimit në vitin 2011./s.s./
KOMENTE