English

Vlore: Perfaqesuesja E Basketbollit Per Femra Nis Pergatitjet Per Kampionatin Europian

VLORE, 4 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Skuadra përfaqësuese e Shqipërisë në basketboll për femra nisi në Vlorë përgatitjet për eleminatoret e Kampionatit Evropian, takimet e të cilit fillojnë në fillim të muajit gusht. Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Viron Toska tha për ATSH-në se, skuadra e përbërë nga lojtare të disa ekipeve të vendit, do të zhvillojë përgatitjet të ndara në dy faza, nga të cilat dy javë në qytetin e Vlorës dhe më pas në Turqi, për një periudhë 10 ditore. Toska nënvizoi se, mosha mesatare e ekipit e përbërë nga lojtare të Flamurtarit, Fierit, Tiranës, Studentit, është shumë e re, ç'ka sipas tij, krijon kushtet për rezultate premtuese. "Me këtë mesatare të moshës së lojtareve, përfaqësuesja do të arrijë rezultatet optimale pas 2-3 vjetësh, por kjo nuk na pengon të shpresojmë dhe të luftojmë qysh tani, në përballje me skuadrat e tjera në grup", u shpreh Toska. Në grupin ku bën pjesë Shqipëria, përfshihen edhe Estonia, Bosnja, Luksemburgu e Zvicra. Dy takimet e para do të jenë në 1 dhe 7 gusht, respektivisht në Estoni dhe Tiranë, përballë Estonisë dhe Luksemburgut./n.m/
KOMENTE