English

Kim Mehmeti: Maqedonasit Sllavë Dhe Nënë Tereza

- Publicisti Kim Mehmeti thotë për ATSH-në se veç vlerave si humaniste e dimensioneve planetare, Nënë Tereza ka luajtur një rol gjithashtu të shenjtë, që asnjëherë të mos shlyhet emblema shqiptare e Maqedonisë". TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Nënë Tereza ka domethënie dhe vlerë të dyfishtë për shqiptarët e Maqedonisë, tha sot në një intervistë për ATSH-në, shkrimtari dhe publicisti, Kim Mehmeti, duke kujtuar se "veç vlerave si humaniste e dimensioneve planetare, Nënë Tereza ka luajtur një rol gjithashtu të shenjtë, që asnjëherë të mos shlyhet emblema shqiptare e Maqedonisë". Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, shkrimtari dhe publicisti nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ndalet gjerësisht në kontributin që luan figura e Nënë Terezës në ruajtjen e Maqedonisë nga ajo që ai e quan "deshqiptarizim", ndërsa sjell në vëmendje edhe përpjekjet e disa qarqeve të caktuara maqedonase për të shpallur Nënë Terezën si "jo shqiptare". "Ata do të pranonin që Nënë Tereza të kishte çfarëdo kombësie tjetër, veç jo shqiptare", tha Mehmeti. Shqiptarja e Shkupit, Nënë Tereza, sipas Mehmetit, ndoshta nuk ka lindur vetëm që t'i dëshmojë botës se si jetohet njerëzishëm dhe cili është roli i njeriut bujar dhe të fisëm, por edhe që të mbrojë përgjithmonë nga tendencat e sllavizimit të plotë, qytetin e themeluar nga dardanët. Kjo ka rëndësi të veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët nuk gjejnë një strategji si të pengojnë "maqedonizimin" e Shkupit dhe të Maqedonisë. "Shqiptarët e Maqedonisë nuk shohin rrugë si të pengojnë 'maqedonizimin' e këtij qyteti, të cilin, shqiptaria dalëngadalë e harron, njësoj siç e harroi Manastirin e alfabetit shqiptar. Tani mbase kjo ka shpëtuar nga harresa e plotë, për shkak se në Shkup ka lindur mburrja jonë, Nënë Tereza", tha Mehmeti. Elitat maqedonase, sipas Mehmetit, "do bëjnë të pamundurën edhe në të ardhmen, që ta 'deshqiptarizojnë' Nënë Terezën, me synimin se me këtë do realizojnë konceptin shumë-dekadash për ta deshqiptarizuar Shkupin dhe tërë Maqedoninë". Ndaj tendenca e qarqeve maqedonase që Nënë Terezën ta shpallin jo-shqiptare, për Mehmetin, "ka qëllime më të thella se sa ato që shprehin një dukuri ballkanike, ku çdo njeriu të vlefshëm të gjithë i shpallen dajallarë". "Të lindësh në këtë Ballkan si njeri me vlera planetare, do të thotë të mos të të lënë të prehesh i qetë edhe pas vdekjes, duke të (keq)përdorur për qëllime shpirtngushta etnike e politike", tha Mehemti. Për Kim Mehmetin, shqiptarët janë popull i vogël, por me kopsht të begatë vlerash, ndaj asnjëherë nuk kanë ndjerë nevojë të vjedhin nga kopshtet e popujve të tjerë, por gjithmonë është dashur të mbrohen nga ata, që ai i quan, "vjedhësit e luleve mbi varreza". "Por ndonjëherë në këtë Ballkan, më lehtë e kanë vjedhësit, se sa rojtarët e kopshtit të vet. Dhe kjo ndodh pasi në këto troje vidhet çdo gjë, edhe e kaluara e popujve. Përmendoret e fundit që i vendosi qeveria e Maqedonisë aty pranë shtëpisë ku ka lindur Nënë Tereza, janë të heronjve të njëjtë që kanë obelisk edhe në Sofje. Andaj, ec e merr vesh kush është pronar i kopshtit, e kush vjedhës i 'luleve'", tha ai. Nënë Tereza lartëson shqiptarinë në botë dhe e ushqen njerëzinë me njerëzoren, por në të njëjtën kohë, sipas Mehmetit, " mbron emblemën e shqiptarisë të qytetit ku ka lindur, e ku shqiptarët e kanë gjithnjë e më vështirë, ngaqë jetojnë në një shtet ku elitat maqedonase merren me ndërtimin e munguar të së kaluarës së vet dhe me kompletimin e kalendarit me data dhe vlera të lavdishme". Shqiptarët e Maqedonisë e dinë këtë gjë, ndaj sipas Mehmetit, bëjnë gjithçka që ta mbrojnë këtë vlerë të tyren kombëtare. "Edhe pse janë shumica myslimane, ata e kanë kuptuar se emblema e tyre etnike ka vetëm një shenjë, atë të shqiptarisë. Këtu shtresohen vlerat e cilitdo shqiptari, ndër të cilat veprat dhe fytyra e Nënë Terezës, ndriçojnë aq sa të bëjë të dukshme sa e vështirë është të "shqiptarosh" në një mjedis ku nuk vlen ajo çka ke lënë pas vetes, por mbi të gjitha ajo se cilës etnie i takon", tha Mehmeti. Nëse maqedonasit me të vërtetë do ta kishin ndjerë Nënë Terezën si të veten, sipas Mehmetit, "gratë e tyre që moti do visheshin si ajo, në çdo rrugicë do kishte nga një bust të saj dhe në çdo fshat të Maqedonisë do ndërtohej nga një kishë katolike me emrin e saj". "Por, edhe kur mundohen ta shpallin Nënë Terezën joshqiptare, ata instiktivisht e pranojnë se nuk është e tyrja, andaj duan të ndërtojnë kishë ortodokse mbi themelet e shtëpisë së lindjes së saj. Ata sillen si ai që i ikën të vërtetës, si pronari i rrejshëm që do ngutshëm ta ndryshojë pamjen e pronës, nga frika se mund të vijë ai që ka tapinë e pronës dhe e merr", tha Mehmeti./s.s./
KOMENTE