English

Sarandë, Policia Kërkon Sigurinë E Jetës Për Peshkatarët

SARANDË, 5 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - Policia kufitare në Sarandë nuk ka lejuar në mbrëmjen e djeshme daljen e 50 motopeshkatoreve në gjueti, pasi kanë rezultuar pa kushte ndriçimi, mjete ndërlidhjeje dhe radio. Ilir Gjoçaj, shef i Policisë të kufirit në Sarandë, e cilëson këtë veprim të ligjshëm dhe që nuk ka qëllim bllokimin e peshkimit, por sigurinë e jetës të çdo peshkatarit. "Më vjet keq që ndërmora këto masa ekstreme, por peshkatarët duhet ta kuptojnë se masat e sigurisë së lundrimit janë primare", thotë Gjoçaj, duke nënvizuar se gjuetia në detin Jon nuk do të lejohet, sidomos gjatë natës. Sipas tij, toleranca për mosplotësimin e kushteve që lidhen me sistemin e ndriçimit dhe dokumentacionin e nevojshëm ka marrë fund. "Vazhdimisht kemi kërkuar nga peshkatarët të plotësojnë minimalisht sistemin e ndriçimit, por ata kanë neglizhuar", tregon Gjoçaj. Për të, organet e policisë kufitare janë të prirura të gjejnë dhe të ofrojnë zgjidhjen më të lehtë të mundshme, brenda hapësirës ligjore. Ndërkaq, Edmond Gjoka, kryetari i bashkisë së Sarandës, e ka vlerësuar pozitivisht veprimin e ndërmarrë nga policia kufitare dhe kërkon që mosmarrëveshjet mes palëve të zgjidhen në rrugën institucionale. "Janë të gjitha hapësirat që ligji i lundrimit dhe i kufirit të zbatohet dhe siguria e peshkatarëve që dalin në gjueti ditën apo natën, të jetë në standardet e kërkuara", pohon Gjoka, ndërsa nënvizon se peshkatarët me këtë biznes mbajnë familjen. Gjoka sugjeron si pjesë e zgjidhjes ngritjen e një dispeçerie, pagesa e të cilit është e mundur të përballohet lehtësisht nga pushteti vendor. "Porti i peshkimit në Gjirin e Limjonit është vendi ideal për të realizuar komunikimin me komandën e policisë kufitare për daljen e motopeshkatoreve në det, pa qenë e nevojshme të humbasin kohë", sugjeron Gjoka, i cili e ka vlerësuar shqetësimin e peshkatarëve qysh në sinjalet e para. Kreshnik Çela, kapiteni i motopeshkatores shqiptare "Tre vëllezërit", thotë se peshkatarët kanë dialoguar me policinë e kufirit, duke i njohur ata me sorollatjet për marrjen e lejes së lundrimit, me vështirësitë e komunikimit kur atyre u duhet të ndryshojnë kuadratin e gjuetisë, etj. "Kemi rënë dakord që në vijim të përcaktohen saktësisht detyrimet dhe të drejtat e secilës prej palëve, me qëlllim zbatimin e procedurave që kërkon ligji mbi lundrimin, por duke krijuar tërë lehtësitë e mundshme për të evituar bllokimin e gjuetisë së flotës së peshkimit në det", shprehet Çela, ndërsa nënvizon se peshkatarët gjuajnë ditën 20 milje larg nga porti i Sarandës. Çela pranon se pjesa dërrmuese e peshkatarëve disponojnë infrastrukturë të dobët për sigurinë e jetës, madje incidente në ujërat e Jonit nuk kanë munguar, por fatmirësisht pa dëme njerëzore. Sipas tij, dy vite më parë, pushteti vendor dhe buxheti i shtetit ka akorduar 48 milionë lekë të reja për ndërtimin e kalatës së re, në Gjirin e Limjonit, rreth 3 km larg nga qendra e Sarandës. "Punimet po kryhen në një shkallë të lartë vështirësie, duke e thelluar atë në 12 metra", tregon Çela, ndërsa shton se kalata do të ketë një sipërfaqe 1500 metra katror, si dhe do të mundësojë ankorimin e anijeve me tonazh 3000-4000 tonë. "Ndërtimi i portit të ri krijon mundësi për zhvillimin e turizmit në parametra bashkëkohorë në Sarandë", përfundon Çela./s.s./
KOMENTE