English

Sport-Botëror/ Holanda Dhe Uruguaji Me Probleme Në Prag Të Gjysëmfinales

TIRANË, 5 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Gjysëmfinlja e nesërme e Botërorit mes Holandës dhe Uruguajit mund të cilësohet edhe si ndeshja e mungesave. Trajneri holandez Bert Van Marwijk duhet të bëjë pa De Jong e Van der Wiel, të cilët nuk do luajnë për shkak kartonash. Ndërsa konfirmohet se Robin van Persie do të jetë në gjendje të luajë në gjysmëfinale kundër Uruguajit, edhe pse forma e tij fizike u vu në pikëpyetje. Van Persie pësoi një lëndim në bërrylin e dorës së majtë në ndeshjen kundër Brazilit. Zëdhënësja e skuadrës holandeze, Monique Kessels, bëri të ditur se skanimi i krahut tregoi se lëndimi nuk ishte aq serioz sa dyshohej. Edhe pas lajmit pozitiv, sulmuesi Van Persie vazhdoi stërvitjen i veçuar nga lojtarët e tjerë të skuadrës, për të qënë gati për ndeshjen e të martës, në Cape Town. Kessels shtoi se edhe mbrojtësi Joris Mathijsen është në formë, pas lëndimit në këmbë gjatë ndeshjes së fundit. Por "tulipanët" do kenë përballë një kundërshtar të përgjysmuar pasi edhe kapiteni i Uruguajit, Diego Lugano, mund të mungojë për shkak të dëmtimit të pësuar kundër Ganës. "Nëse nuk jam 100 % në formë nuk luaj. Kam kryer stërvitje në palestër, por gjuri po më krijon probleme. Eshtë një situatë e komplikuar me të cilën duhet të përballem me qetësi edhe pse bëhet fjalë për gjysmëfinalen e botërorit. Në çdo rast këtu ka shumë lojtarë të mirë dhe kushdo që do zbresë në fushë do dijë si të luajë. Do tregojmë të gjitha cilësitë tona", thekson Lugano. Skuadra amerikano jugore, e drejtuar nga Oscar Tabarez, do të shkojë drejt përballjes me Holandën në gjysmëfinale me një sërë mungesash. Luis Suarez dhe Jorge Fucile janë ndëshkuar dhe nuk mund të luajnë, ndërsa mbrojtësi Diego Godin ka shfaqur probleme në këmbë./s.s./
KOMENTE