English

Sport-Botëror/ Specialistët Shqiptarë Parashikojnë Finalen Gjermani - Holandë

- Sipas specialistëve të futbollit shqiptar, Hasan Lika dhe Perlat Musta, mund të përsëritet finalja e vitit 1974, Gjermani-Holandë - TIRANË, 5 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Kampionati Botëror "Afrikë e Jugut 2010" ka arritur në fazën më kulminante të tij, me ndeshjet gjysëmfinale. Nëse në fillim të kompeticionit si skuadra pretendente për fitimin e trofeut ishin Brazili, Spanja, Argjentina, Anglia, Gjermania, Italia, Holanda e Franca, disa prej tyre janë eliminuar. Tashmë që rrethi i favoritëve është ngushtuar dhe skuadrat kanë treguar vlerat e tyre në ndeshjet në grupe apo në 1/8-at dhe çerekfinalet, për specialistët e futbollit parashikimi për finalen e Botërorit apo fitueses thjeshtohet disi. Edhe në vendin tonë, Kampionati Botëror, pavarësisht se nuk merr pjesë ekipi ynë Kombëtar, po ndiqet me interes të madh. Tashmë, me formën e treguar sidomos ndaj Argjentinës, nga dy prej specialistëve të futbollit shqiptar, Hasan Lika e Perlat Musta, Gjermania shihet si favorite për në finale dhe për të ngritur trofeun. Ish-trajneri i mirënjohur i Partizanit dhe i disa prej ekipeve të tjera shqiptare, Hasan Lika, jep opinionin e tij në lidhje me finalen e Botërorit: "I kam ndjekur me vëmendje të gjitha ndeshjet e Botërorit, ku ka pasur shumë surpriza të këndshme dhe të pakëndshme. Eliminimi i kampiones së Botës, Italisë, nënkampiones, Francës, por dhe Anglisë, Brazilit dhe Argjentinës, i ka hapur rrugë skuadrave të tjera për të pretenduar Kupën. Si pretendente për në finale, por edhe si simpatizant, shoh Gjermaninë. Në çdo kompeticion të rëndësishëm skuadra gjermane hyn në garë si pretendente, por me ndeshjet e zhvilluara deri tani dhe sidomos me Anglinë, ka shfaqur një potencial të jashtëzakonshëm. Gjermanët e kanë në traditë që gjithnjë arrijnë majat, kështu që edhe këtë herë parashikoj që do të kalojnë Spanjën dhe do të jenë në finale. "Ndërsa skuadra tjetër finaliste them se do të jetë Holanda. Pra, në finale Gjermania do të ketë përballë një ekip të kompletuar, por nuk është aspak surprizë të fitojë Botërorin", përfundon Lika. Ndërsa edhe legjenda e portës së Partizanit dhe i ekipit tonë kombëtar, Perlat Musta, thuajse është në një linjë, teksa edhe ai e sheh Gjermaninë në finale: "Në të tilla kompeticione skuadra gjermane ka një stabilitet të çuditshëm, pasi edhe kur nuk është në formën e saj më të mirë, gjithnjë arrin maksimumin. Në finale mund të takohet me Holandën, e cila do ta ketë disi më të lehtë kualifikimin në gjysmëfinale, gjithnjë nëse nuk ndodh surprizë. Një përballje ku mund të përsëritet finalja e vitit 1974, ku Gjermania fitoi ndaj një Holande të papërsëritshme. Megjithatë këto janë parashikime, pasi futbollit nuk i dihet, por them që ajo skuadër që do të shpallet fituese, do ta meritojë plotësisht, pasi ka qenë një Kampionat Botëror me mjaft rivalitet", theksoi Musta. /a.ke/
KOMENTE