English

Gjykata E Lartë/ Kandidati Muçmataj Para Komisionit Të Ligjeve

TIRANË, 6 Korrik/ATSH, Andi Myrte/-Në Komisionin e Ligjeve në Kuvend u zhvillua sot seanca dëgjimore me kandidatin për anëtar të Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmataj, i propozuar nga Presidenti i Republikës. Muçmataj, prokuror në Prokurorinë e Tiranës është një nga tre kanditaturat që Presidenti i Republikës i ka propozuar Kuvendit për anëtar në Gjykatën e Lartë, shkalla më e lartë e gjyqësorit në vend. Për rreth dy orë, Muçmataj iu nënshtrua seancës dëgjimore, një procedurë e brendshme parlamentare para kalimit të dekreteve për votim të hapur në seancë plenare të Kuvendit. Para Komisionit, ai vlerësoi eksperiencën profesionale si një nga elementet thelbësore në përzgjedhjen e kanditaturës për anëtar të Gjykatës së Lartë. Duke vënë në dukje eksperiencën e tij në hallkat e sistemit të drejtësisë, Muçmata veçoi si histori suksesi angazhimin si drejtues i Prokurorisë së Tiranës vitet e fundit. "Realizova një projekt të qartë për përmirësimin e infrastrukturës së rënuar të prokurorisë dhe forcimin e punës së saj në luftën kundër krimit", tha Mucmata. Anëtarët e Komisionit u interesuan për pasuritë që dispononte Muçmataj, për të cilat Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive pretendon se ka konstatuar paregullsi në dokumentacionin shoqërues. "Inspektoriati nuk duhet të ngrejë hipoteza të pabaza", tha Muçmataj, duke siguruar se e gjithë pasura e tij ishte e dokumentuar, e rregullt si dhe burimet e saj. Sikurse deklaroi kandidati, ka në pronësi një apartament, një sipërfaqe toke 50 metër katror, një makinë dhe aksioner në një shoqëri karburanti. Interesimit nese kishte pasur ndonjëherë angazhim partiak, Muçmata iu përgjigj shkurtimisht se "kam qenë anëtar partie në vitet 1988-1990". Ndërsa për veprimtarinë e tij si hetues në kohën e diktaturës, tha se nuk kishte patur ndonjë çështje politike. "Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kam patur asnjë ankesë nga ndonjë individ", tha ai. Kandidati Vexhi Muçmataj, iu përgjigj dhe interesimit për problemet që shqetësojnë sot sistemin e drejtësisë si mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni, duke shprehur vizionin për përmirësimin e metejshem të sistemit. "Rol të madh ka si forcimi i kontrollit edhe rritja e transparencës së drejtësisë", tha ai. I lindur në Kukës në vitin 1955, Vexhi Muçmata përfundoi studimet në Shkollën e Ministrisë së Brendshme, më pas ato në Fakultetin e Juridikut për të vazhduar me studime master në fushën e jurispudencës si dhe specializime të shumta në shtete të ndryshme të Evropës. Ai ka një karrierë të gjatë në sistemin e prokurorisë, e nisur në 1977, kur, u emërua si hetues në Vlorë, Librazhd e më tej në Tiranë. Pas 90-ës, Muçmataj u angazhua si prokuror në Prokurorinë e Tiranës dhe të Përgjithshme, duke mbajtur poste të larta drejtuese. Në vitet 2002- 2008, ishte drejtues i Prokurorisë së Tiranës. Sipas Kushtetutës, pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e Apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit. Gjykata e Lartë ka 17 anëtarë, të cilët emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet./n.m/
KOMENTE