English

Kosovë - Komisioni Evropian Dhe Qeveria: Reformat Prioritare Në Agjendën Evropiane

HTINË, 6 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës pajtohen për reformat prioritare në axhendën evropiane. Ministria kosovare e Integrimit, në një komunikatë për shtyp, bëri të ditur se Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës u pajtuan se prioritete në punën e mëtejshme në Dialogun e Procesit të Stabilizim-Asociimit në Kosovë (DPSA) janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma e administratës publike dhe bashkëpunimi rajonal. Në takimin e parë plenar të procesit të Stabilizim Asociimit, sot në Prishtinë, të cilin e bashkëkryesuan Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian, u diskutua dhe u prezantua progresi në zbatimin e rekomandimeve të adresuara në Raportin e rregullt vjetor të Progresit 2009, të nxjerrë nga Komisioni Evropian. Të dy palët shqyrtuan progresin e arritur nga dhjetori në fushat kyçe të reformës, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën e administratës publike dhe bashkëpunimin rajonal. Duke vlerësuar arritjet në realizimin e rekomandimeve te KE, kryeministri Thaçi tha se janë bërë përparime konkrete në realizimin e sfidave të paraqitura në Raportin e Progresit të KE për vitin 2009 dhe theksoi se sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë qenë dhe mbeten prioriteti kryesor i tij si Kryeministër i Kosovës. "Jemi plotësisht të vetëdijshëm që procesi i integrimit në BE është shumë kompleks dhe kërkon angazhim maksimal nga të gjitha sferat dhe dimensionet e shoqërisë sonë. Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë", tha Thaçi. Në qershor, shtoi ai, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Planin e Veprimit për Partneritet Evropian 2010, dokument strategjik ky i cili bashkërendon politikat tona krahas përgjegjësive që dalin nga Partneriteti Evropian dhe Raporti i Progresit për Kosovën. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierre Mirel, vlerësoi përparimin në procesin e stabilizim asociimit dhe realizimin e rekomandimeve të KE dhe theksoi se është bërë shumë në miratimin e ligjeve, "por duhet bërë më shumë jo vetëm në bërjen e ligjeve, por edhe në zbatimin e tyre". "Kosova duhet të ofrojë më shumë forma konkrete në procesin e reformave, duke adresuar çështje konkrete, si për shembull reforma e gjyqësorit, forcimin e luftës kundër korrupsionit si dhe reformën e administratës publike. Unë shpresoj se Kosova do të përshpejtojë reformat, në mënyrë që ky progres të zërë vend në Raportin e Progresit që do të publikohet në vjeshtë", theksoi Mirel. Dialogu i Procesit të Stabilizim Asociimit është korniza brenda së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës rregullisht diskutojnë çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. /s.s./
KOMENTE