English

Meta: Të Ruhet Stabiliteti Makroekonomik I Vendit

TIRANE, 6 Korrik /ATSH- A.Gegvataj/- Kryetari i LSI-së Ilir Meta, njëkohësisht zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, deklaroi sot se ruajtja e stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i treguesve kryesorë e sidomos i defiçitit buxhetor, është një nga prioritetet e forcës që drejton. Gjatë mbledhjes së kryesisë së LSI-së, Meta nënvizoi se "është shumë e rëndësishme që të ruhet besueshmëria e ekonomisë sonë, në mënyrë që të sigurohen burime shtesë financimi nga jashtë, por njëkohësisht të ruhet edhe ky mjedis atraktiv për investitorët e huaj". Sipas tij, ky fakt lidhet edhe me ardhjen e investitorëve të huaj, të cilët kanë interes të investojnë në Shqipëri. Duke u ndalur në vendimet e marra sot nga KRRTRSH-ja, Meta, nënvizoi se "këto vendime hapin perspektivën për realizimin e shpejtë dhe fillimin e punimeve për projekte të rëndësishme prej disa miliardë euro në këta sektorë kaq të rëndësishëm të vendit dhe për punësimin". Në këtë kontekst, Meta tha se "ne do të vazhdojmë të kujdesemi për përfshirjen gjithnjë e më të madhe të të gjitha prioriteteve të shpallur nga LSI në programin qeverisës të vëndit 2009 - 2013"./s.s./
KOMENTE