English

Përnaska: Rama 10 Vjet Që Abuzon Me Projektin E Unazës Së Madhe Të Tiranës

TIRANË, 6 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska, deklaroi sot, se "Tirana nuk ka një plan rregullues dhe Edi Rama ka 10 vjet që abuzon me projektin e Unazës së madhe të kryeqytetit". Në një deklaratë për shtyp, Përnaska tha se "keqeverisja e Tiranës nga kryetari ende në fuqi i Bashkisë, preket në çdo cep të saj". "Prej 10 vjetësh qytetarët e Tiranës përballen me një problematikë komplekse të kryeqytetit, që rëndon mbi jetesën e tyre të përditshme. Prej 10 vjetësh, Rama e ka lënë kryeqytetin pa një plan rregullues", tha Përnaska. Sipas saj, "prej 10 vjetësh mashtrimi ka qenë pjesë e jetës të banorëve të Saukut, ku prej kohësh duhet të ishte ndërtuar Unaza e madhe e Tiranës". "Prej 10 vjetësh, ashtu si gjithë kryeqyteti që ka mbetur pa një plan rregullues, edhe kjo zonë vuan të njëjtën situatë, duke cënuar drejtpërdrejt jo vetëm interesat e pronarëve, por dhe duke e lënë kryeqytetin në një gjendje mbytëse për qarkullimin dhe mbarëvajtjen e tij. Ashtu si për shumicën dërmuese të banorëve të Tiranës, edhe për ata të Saukut, Edi Rama ka provuar se nuk përfaqëson interesat e tyre", tha Përnaska. /s.s./
KOMENTE