English

Berisha: Politikë Agresive Në Zëvendësimin E Teksteve Mësimore

TIRANË, 7 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot që të ndërmerret një politikë shumë agresive në zëvendësimin e teksteve ekzistuese mësimore me tekste bashkëkohore. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri kërkoi që "në buxhetin e këtij viti, zëri i teksteve të jetë një nga zërat më të rëndësishme". "Së bashku me shoqatën e rektorëve kërkoj të përgatitet një vendim, i cili t'i çlirojë studentët nga një mori tekstesh të mykura që datojnë edhe që nga vitet '70, në kohën kur na detyronin të shkruanim tekste sepse nuk duhet të futeshin tekstet e huaja", tha Berisha. Sipas tij "ajo ishte pjesë e politikës së izolimit të vendit, por është për të ardhur keq që edhe sot ekzistojnë këto tekste në duart e studentëve". "Në këtë aspekt, është shembull Maqedonia, e cila ka përcaktuar një buxhet shumë serioz për përkthimin e teksteve në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip", tha Berisha. Sipas tij, "fakultetet duhet të përcaktojnë tekstet që do të përkthejnë". "Duhet të mblidhen dekanët dhe shefat e departamenteve dhe të diskutojnë me kolegët e tyre në universitetet e Maqedonisë dhe Kosovës. Për hir të tregut le të bashkërendohet përkthimi", tha Berisha. Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi që të zhvillohet libraria dixhitale në universitete. "Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, bashkë me rektoratet, duhet të angazhohen në një shqyrtim serioz të këtij problemi. Tekstet janë vendimtare për formimin e pedagogëve dhe studentëve, sepse një tekst i cilësisë më të lartë rrit edhe cilësinë e mësimdhënies", tha Berisha. Por sipas tij, "tekstet janë të pamjaftueshme për kërkimin shkencor, pasi për vetë karakterin e tyre nuk mund të pasqyrojnë kufirin e fundit të shkencës në fusha të ndryshme". "Ky kufi është jetik për kërkimin shkencor dhe ekziston vetëm në revistat serioze ku botohen punimet më serioze të shkencës. Ndaj është e domosdoshme që me përparësi të madhe të sigurohet libraria dixhitale, në të cilën studiuesit të gjejnë titujt kryesorë të periodikut të tyre në Europë dhe botë", tha Berisha. /s.s./
KOMENTE