Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
EULEX, ose misioni i dështuar
English

EULEX, ose misioni i dështuar

Është për turpin e institucioneve të Kosovës, të cilat në vend se ta luftonin me të gjitha mjetet e mundshme (diplomatike), këtë mision i cili natyrshëm nuk ka kurrfarë interesi për mëkëmbje eventuale të ekonomisë së vendit, ata duhet të fshehin veprimet e tyre të ndyra të cilat po degradojnë dinjitetin e qytetarit të Kosovës

Nga Ilir Sefaj*

Kemi hyrë në vitin e tretë që kur në Kosovë është instaluar misioni europian EULEX. Një mision ky ndërkombëtar, roli i të cilit dihet se ka qenë tepër i ngathtë në këtë periudhë të mandatit të tij të parë. Instalimi i këtij misioni në Kosovë, para dy vitesh, kujtoj të jetë pritur me goxha pompozitet.

Meqenëse, roli i UNMIK-ut, nga qytetarët e Kosovës u konsiderua si i dështuar, fillimisht u mëtua se EULEX, do të luaj një rol më konstruktiv karshi institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.

Në fakt, ngjau krejtësisht e kundërta. Ky mision europian u dëshmua si i dështuar që në nismë të veprimtarisë së tij, duke mos u ndjerë prezenca e tij, as tash kur kemi hyrë në vitin e tretë që kur ky mision “ndihmon” në qeverisjen e vendit.

Edhe pas dy vitesh të veprimtarisë së tij në vend, ende nuk është parë asgjë konkrete nga ky mision europian. Pra, tani mund të pyesim; çka ka ndryshuar në Kosovë që kur EULEX është instaluar në vendin tonë?! Kishim strukturat paralele (në fakt strukturat e një shteti të huaj siç është Serbia), ato vazhdojnë të jenë sot e gjithë ditën.

Kishim korrupsionin dhe krimin e organizuar, këto të dyja janë prezente sot e gjithë ditën, mbase në një shkallë më të lartë të ekzistimit të tyre. Kishim sistemin e dështuar gjyqësor, i tillë vazhdon të jetë edhe më tutje.

Kam përshtypjen se ky mision, më shumë ka synuar të shkaktojë spektakle, apo shou televizivë (mediatikë), i cili duke luajtur me imazhin e shtetit të Kosovës dhe jo rrallë duke provokuar situata tepër të rrezikshme, ka dëshmuar për mos seriozitetin e këtij misioni i cili tashmë për qytetarët e vendit konsiderohet i pa dëshirueshëm.

Nuk mund të gjykohen ndryshe, veçse provokative situata si ato të muajve që lamë pas. Kujto rastin Bllaca. Kujto tentim- arrestimin e Albin Kurtit, në varrimin e atdhetarit të shquar Ali Aliut. Rast tepër extraordinarus, i cili dëshmoi se sa të joekuilibruar janë këta “ligjvënës”.

Spektakolare ishte po ashtu edhe bastisja në Ministrinë Transportit, bastisje kjo e cila u bë vetëm sa për të luajtur me ndjenjat e qytetarit të Kosovës, të cilët janë vënë në rolin e spektatorit, duke ju krijuar situata sa komike sa tragjikomike, pa ndonjë rezultat minimal.

I natyrës spektakulare ishte “rëntgeni” që i bënë Hashim Thaçit në Aeroportin e Prishtinës, e shumë e shumë spektakle të tjera të cilat vetëm sa kanë shkatuar neveri në opinionin e përgjithshëm.

Është për turpin e institucioneve të Kosovës, të cilat në vend se ta luftonin me të gjitha mjetet e mundshme (diplomatike), këtë mision i cili natyrshëm nuk ka kurrfarë interesi për mëkëmbje eventuale të ekonomisë së vendit, ata duhet të fshehin veprimet e tyre të ndyra të cilat po degradojnë dinjitetin e qytetarit të Kosovës.

Motoja: “thuaj çfarë të duash, më lerë të vjedh”, po i shkakton dëme të pariparueshme të ardhmes së këtij vendi.

Tashmë kur jemi dëshmitar të të gjitha këtyre maskarallëqeve të paskrupullta, që ky mision i luan mbi kurrizin edhe ashtu të dërmuar të njeriut tonë, ndërsa në anën tjetër po ashtu jemi dëshmitar të mos seriozitetit të institucioneve garniturë të Kosovës, të cilat janë dëshmuar në krim të organizuar, nepotizëm, e gjithçka tjetër, përveç progresit eventual, cila është zgjidhja?!

Sipas asaj që u tha më sipër, krijohet përshtypja se njeriu ynë edhe për një kohë do të jetë i shtërnguar të vuaj këtë situatë shumë dëshpëruese, të cilën e kanë shkaktuar hajnat vendorë së bashku me hajnat ndëkombëtarë, megjithatë edhe hajnia e ka fundin e saj, ajo vetvetiu është e detyruar të jetë e dënuar.

Tek e fundit a nuk i besojmë ne thënies: “Gjithkush vjerret n’konopin e vet!”. Pak relaksim, sikur e dëshiron fundi...

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE