English

Sport-Futboll/ Laçi Në Kërkim Të Historisë Përballë Dnepr Mogilev

TIRANË, 7 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/. - Skuadra e Laçit ka qenë shumë afër një starti perfekt në Europë, por një gol në sekondat e fundit u ka mohuar fitoren bardhezinjve në ndeshjen e parë kundër bjellorusëve të FC Dnepr Mogilev. Nesër kurbinasit duhet të përmbysin rezultatin 1-1 dhe duhet të shënojnë të paktën një gol për të shpresuar në një kualifikim historik në turin e dytë të Europa League. Ndeshja e kthimit që do të luhet nesër, në stadiumin "Spartak" në Mogilev të Bjellorusisë, sheh favoritë bjellorusët, që dhe me një barazim pa gola mund të kualfikohen, por laçianët nuk mendojnë se çdo gjë ka përfunduar. Mbrojtësi bardhezi Emiljano Çela është një lojtar kyç në mbrojtjen e Laçit. Ai aktivizohet prej tri sezonesh me kurbinasit. Në prag të sfidës së radhës në Europa League, ai shprehet se "është një arritje e madhe për ne që jemi këtu. Edhe dy ditë na ndajnë nga ndeshja e dytë për turin e parë eliminator dhe po ruajmë qetësinë. Shpresojmë te kualifikimi, gjë që do ishte një mrekulli e vërtetë për ne". Stafi teknik i Laçit ka punuar për këtë sfidë dhe trajneri Stavri Nica kërkon që në këtë sfidë skuadra të tregojë formë të mirë në fushën e lojës. Në ndeshjen e parë kundërshtari ishte fizikisht më lart se Laçi për shkak se Dnepr Mogilev është në mes të kampionatit. Dnepr Mogilev - Laçi; formacionet e mundshme Dnepr Mogilev (4-4-2): Kopantsov, Raspopov, Shuneiko, Gonçar, Kalajçev, Kapov, Kozlov, Tereshçjenko, Biçenok, Jurçanka, Turlin. Trajner: Andrei Sgoroborotsko. Laçi (4-4-1-1): Llani, Kastrati, Nino, Brahja, Çela, Tafaj, Gega (Jushi 87'), Veliaj, Shazivari (Marashi26'), Vucaj, Nimani. Trajner: Stavri Nica. /s.s./
KOMENTE