English

Tentoi të vrasë para 6 vitesh, ekstradohet nga Gjermania i dënuari me 10 vite burg

Tiranë, 7 Korrik, NOA – I dënuar me 10 vjet burg për një tentativë vrasje që në vitin 2004, 32-vjeçari Altin Kujofska është ekstraduar sot nga forcat e Interpolit në Tiranë prej Frankfurtit të Gjermanisë.

Siç bëhet me dijeni nga zyra e “Interpol Tirana” për agjencinë e Lajmeve NOA, gjykata e Tiranës, me vendimin 439 të vitit 2005, e ka dënuar këtë person me 10 vjet burg, për kryerjen e veprat penale të “Vrasjes me paramendim në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga nenet 78/1-22-25 dhe 278/2, të Kodit Penal.

Kjo pasi i ekstraduari Altin Kujofska, në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar, për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Artan L. 6 vjet më parë në rrugën “Qemal Stafa” të kryeqytetit.

Burimet policore konfirmojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin e të dëmtuarit Artan L., ndërsa si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Viesbaden”, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i të dënuarit Altin Kujofska .

Bëhet me dijeni se ai u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

n.e/NOA

KOMENTE