English

Berlusconi Angazhohet Personalisht Për Promovimin E Turizmit Në Itali

ROMË, 8 korrik /ATSH-MIA/ - Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi u bëri thirrje italianëve të pushojnë në atdheun e tyre, në një reklamë televizive për nxitjen e turizmin në gadishullin Apenin. Në reklamën prej 30 sekondash "Italia magjike", e realizuar me porosi të Ministrisë së Turizmit, tregohen plazhe, përmendore si edhe zona të ndryshme turistike në Itali. "Atë çfarë shihni është Italia juaj. Shfrytëzojini pushimet për ta njohur më mirë Italinë, Italinë tuaj magjike", thotë Berluskoni në reklamë. "Për herë të parë Berluskoni huazon zërin e tij për një reklamë që ka për qëllim stimulimin e turizmit kombëtar", theksoi ministrja italiane e Turizmit, Vittoria Brambilla. Ajo shtoi se pret që italianët të shpenzojnë 14 miliard euro për pushime jashtë vendit dhe se një pjesë e vogël e asaj shume do të ishte e mirëseardhur për vendin e tyre. Berlusconi u bën thirrje italianëve të blejnë në vendin e tyre për të ndihmuar ekonominë e vendit, pas recesionit të vitit 2008 dhe 2009./ a.jor.
KOMENTE