English

Këshilli I Evropës I Kërkon Greqisë Forcimin E Luftës Kundër Korrupsionit

STRASBURG, 8 korrik /ATSH-MIA/ - Legjislacioni grek për luftën kundër korrupsionit vuan nga lëshimet dhe zbatohet në mënyrë jo të mjaftueshme në praktikë, thuhet në raportin e fundit të organit të pavarur të Këshillit të Evropës, Grupi i Vendeve Kundër Korrupsionit (GRECO), i publikuar në Strasburg. Megjithatë, qeveria greke, që po ballafaqohet me një krizë të vështirë ekonomike dhe buxhetore, ka deklaruar shpeshherë se lufta kundër korrupsionit përbën një nga prioritetet e saj. "Ligjet, sado të kompletuara të jenë, nuk mund të kontribuojnë për luftën kundër korrupsionit nëse nuk zbatohen në mënyrë të mjaftueshme në praktikë", thuhet në raportin e GRECO-s. Organi i Këshillit të Evropës, i specializuar në rregullat ligjore për luftën kundër korrupsionit, thekson pasivitetin e institucioneve greke në luftën kundër korrupsionit si dhe mungesën e kontrollit efektiv të administratës shtetërore, që krijon përshtypjen se ajo nuk mund të dënohet. GRECO nënvizon se qytetarët grekë japin ryshfete të vogla, sipas çmimeve të njohura paraprakisht, me qëllim që problemet e tyre të shqyrtohen më shpejt nga shërbimet kompetente, si ajo për patenta, leje ndërtimi apo pranim në spitalet shtetërore. GRECO është e befasuar edhe nga zbrazëtia e ligjeve greke kundër korrupsionit dhe disa kontradikta mes tyre. GRECO kritikon edhe mosdënimin penal që gëzojnë anëtarët e qeverive në Greqi dhe pas largimit të tyre nga funksioni./ a.jor.
KOMENTE