English

Lufta Kundër Korrupsionit, Bashkërendim Gjithëpërfshirës

TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm me veprime të njëanshme, por është e nevojshme të ndërmerren veprime të bashkërenduara në mënyrë gjithëpërfshirëse nga gjithë shoqëria dhe institucionet e ndryshme. Kjo mënyrë, sipas drejtores së Këshillit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, Elvina Jusufaj, synon pikërisht ndërgjegjësimin e qytetarëve për të kërkuar transparencë ndaj ofruesve të shërbimeve publike, me përgjegjëshmërinë dhe drejtuesve të institucioneve ndaj qytetarëve si përfitues të këtij shërbimi publik. "Vetë qytetarët duhet të reagojnë e të mos bëhen bashkëfajtorë në këto veprime korruptive, që mbi të gjitha vijnë në radhë për shkak të mungesës së informacionit", tha për ATSH-në Jusufaj. Këshilli Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Europian në Tiranë do të nisë një sërë aktivitetesh në luftën ndaj korrupsionit, me temë "Ndërtimi i shoqërisë demokratike, jo korrupsionit", që u bënë të njohur sot në një tryezë të organizuar në Hotel Tirana International për korrupionin në shëndetësi, pasi është dhe sektori më i prekshëm dhe problematik në vend. "Korrupionin në shëndetësi mund ta ndjejmë çdo ditë", thotë Jusufaj, megjithatë, sipas saj, ndërmarrja e veprimeve për të ndërgjegjësuar qytetarin për të drejtat dhe detyrimet e tij si dhe medias si partnere në denoncimin e fenomenit, konsiderohet hap i rëndësishëm. I pranishëm ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili vlerësoi se korrupsioni në shëndetësi është ulur ndjeshëm, ndërsa janë intensifikuar përpjekjet për të luftuar fenomenin, duke u ndalur në disa nga hapat e ndërmarrë në këtë drejtim, si zbatimi me rigorozitet i sistemit të referimit nga qytetarët, afishimi i listave të çmimeve për shërbimet shëndetësore në vende të dukshme, listës së operacioneve mjekësore, etj. Trajtimi i korrupsionit në tërësi është një nismë, që Këshilli Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë po zbaton në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Europian në Tiranë. Qëllimi është formëzimi i mosbindjes masive ndaj korrupsionit përmes rritjes së ndërgjegjësimit publik, advokacisë, edukimit publik dhe monitorimit. Një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, sipas Jusufajt, ka media me rolin edukues dhe sensbilizues, veç atij informativ. /a.ke/
KOMENTE