English

Ngjarja E Ambasadave, Prologu I Thyerjes Së Diktaturës Në Shqipëri

Deutsche Wele, me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, organizojnë një takim me protagonistë dhe dëshmitarë të ngjarjeve të 2 korrikut 1990 në Shqipëri- TIRANE, 8 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Radioja gjermane Deutsche Wele, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, organizuan sot mbasdite në Tiranë një takim me protagonistë dhe dëshmitarë të ngjarjeve të 2 korrikut në Shqipëri, në rikujtim të ngjarjeve të ambasadave dhe marrëdhëniet mes dy vendeve në 20 vitet e fundit. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt, i pranishëm në këtë takim, tha se "ngjarja e ambasadave është prologu i thyrjes së diktaturës në Shqipëri". Duke iu kthyer zhvillimeve të 20 viteve më parë në Shqipëri, Ambasadori Borchardt i përshkroi ato si "ngjarje dramatike" në periudhën nga 2 korriku deri në mesnatën nga 12 deri në 13 korrik 1990. "Mbi 3000 qytetarë dhe qytetare shqiptarë kërkuan strehim në ambasadën tonë, duke dashur kështu të arrinin largimin nga Shqipëria. Ngjarjet u shoqëruan jo vetëm me shkelje nga më masivet të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist kundër atyre që donin të udhëtonin jashtë vendit, por edhe me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare ndaj ambasadës: të shtëna në territorin e ambasadës, hyrje me forcë e policëve në ambasadën tonë, ndërprerja e furnizimit të ambasadës, madje as posta diplomatike nuk u lejua të vinte te ne. Disa ndoshta ende do të kenë në kujtesë, se çfarë kushtesh katastrofale, higjienike dhe mjekësore solli e gjithë kjo në territorin e ambasadës", tha Ambasadori Borchardt. Duke sjellë në kujtesë të audiencës marrëdhëniet gjermano- shqiptare të asaj kohe diplomati gjerman e vuri theksin tek acarimi në kulm i marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat arritën deri në ndërprerjen e tyre pas ngjarjeve të ambasadave. "Sigurisht, që për ne kjo shkaktoi një hap të madh mbrapa në marrëdhëniet dypalëshe. Ndryshe nga shumica e partnerëve të tjerë perëndimorë të Shqipërisë, ne kishim nisur që në kohën e komunizmit bashkëpunimin për zhvillim me Shqipërinë", tha Ambasadori Borchardt, duke shtuar se këtë bashkëpunim e ndërpremë pas ngjarjeve të korrikut 1990, duke vazhduar vetëm bashkëpunimin kulturor, si dhënien e bursave. "E kishim nisur bashkëpunimin për zhvillimin, duke besuar në premtimet për reforma të regjimit komunist në Shqipëri dhe e pamë të konfirmuar qëndrimin tonë në reformat e para ekonomike dhe disa përmirësime në maj 1990. Por brutaliteti dhe sulmet gjatë dyndjeve në ambasadën tonë, por edhe në të tjerat, prekën themelet e këtij bashkëpunimi", tha ai. Ambasadori Borchardt, në panoramën e ngjarjeve të 20 viteve më parë, vuri në dukje se, situata ndryshoi pas protestave të studentëve të 8 e 9 dhjetorit të vitit 1990, të cilat sipas tij, dhanë një kontribut kyç për drejtimin e duhur të zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri. Më pas, kujtoi ai, qeveria lejoi krijimin e organizatave politike të pavarura, u themelua Partia Demokratike, për herë të parë u lejuan shërbesa fetare katolike, publike, u shpallën zgjedhjet për 10 shkurt 1991. Megjithatë, theksoi ai, "kjo ende mbetej larg asaj që ne kuptojmë me demokraci. Por në atmosferën e veçantë të vitit 1989 deri 1991 ne arritëm të dallonim që Shqipëria nuk donte të mbetej jashtë lëvizjes reformuese në gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, asokohe komuniste, si dhe që, edhe pse ngadalë, nisi të lëvizte në drejtimin e duhur". Nisur nga kjo, tha Ambasadori gjerman, ne vendosëm të ndërmarrim përgatitjet teknike, për të rihapur pas zgjedhjeve ambasadën tonë të mbyllur pas tensioneve, të rinisnim bashkëpunimin tonë për zhvillim dhe të merreshim me përgatitjen e projekteve të mëdha kulturore. Për të sjellë në kohë reale ngjarjet e atyre viteve, Deutsche Wele shfaqi dhe një material filmik, me intervista dhe prononcime të disa prej protagonistëve, emigrantë të 2 korrikut 1990, që sot janë integruar dhe punojnë në Gjermani. /s.s./
KOMENTE