Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Toniblerët e Kosovës
English

Toniblerët e Kosovës

Prishtinë, 8 korrik, NOA – Kur e pyesin se si e ka emrin, ky djalë përgjigjet me krenari: Tonibler. Ka pasur fatin të mos i përjetojë tmerret e luftës dhe të vijë në këtë botë në kohën e paqes.

Dhe prindërit i vunë emrin e njërit prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtare, ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Ai është 8-vjeç dhe prindërit i kanë treguar se kush është Tony Blair.

“Kryeministri i Anglisë që na ka ndihmuar në kohë të vështira”, shprehet vogëlushi kosovar, i cili ka bërë edhe një poezi.

"...Linda unë dy vjet pas tmerrit/ma lanë emrin Tonibler/ erdh liria, u zhduk tmerri/ emrin tënd e mbaj me nder”.

Prindërit e Toniblerit të vogël, Naser dhe Sadete Gashi, që jetojnë në një lagje të Prishtinës, thonë se mënyra e vetme për të shprehur mirënjohjen për kontributin e ish-kryeministrit britanik për lirinë e Kosovës ishte ta pagëzonin djalin e tyre të parë me emrin e tij.

“Duke dëgjuar paraqitjet dhe angazhimet e tij gjatë luftës, isha shumë i befasuar nga fjalët e tij, kështu që qysh atëherë pata thënë, nëse ma fal Zoti një djalë, do t’ia lë emrin Tonibler”, shprehet Naser Gashi.

“Unë e thërras Toni, por e thërras Tonibler kur dua t’i kujtoj kohërat më të vështira të popullit shqiptar”, thotë e ëma e djaloshit, Sadete.

Gjyshes Naile mbushen sytë me lot kur kujton rolin që kishte ish- kryeministri britanik në ditët e bombardimeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe që i dhanë fund luftës në Kosovë.

“Na ka ndihmuar shumë, e kemi përtërirë emrin e tij, ishalla Zoti e bekon dhe ishalla Tonibleri i vogël i përngjan Tony Blair-it të madh”, shprehet me emocion ajo.

Në vitin 2007 familja Gashi ka pasur një korrespodencë me zyrën e ish- kryeministrit Tony Blair, për t’i shprehur personalisht falënderime për angazhimin e tij gjatë luftës në Kosovë dhe për ta njoftuar se djali i tyre ka trashëguar emrin e tij.

Tonibler Gashi nuk është fëmija i vetëm që e mban këtë emër. Fëmijët kosovarë të quajtur Tonibler, do të dalin në rrugë për t’i uruar mirëseardhjen atij që është cilësuar si “njeriu i lirisë së Kosovës”.

Posterat me fotografinë e ish-kryeministrit Tony Blair, në të cilat shkruan “Një lider, Një mik, Një hero” janë vendosur gjithandej Prishtinës.

Nuk është hera e parë që ai vjen në Kosovë. Ka qenë ndër figurat e para botërore që e ka vizituar vendin pak kohë pas luftës.

Gjatë mandatit të tij si kryeministër disa herë kishte thënë se Kosovën e konsideronte si një nga sukseset në karrierën e tij.

Para se të largohej nga Downing Street, z.Blair kishte pritur në takim një delegacion nga Kosova të prirë nga ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Zoti Kosumi flet me respekt për figurën e tij ndërsa kujton vendosmërinë që kishte shprehur ish-kryeministri Blair për të kthyer 800 mijë refugjatët kosovarë në shtëpitë e tyre.

“Në ato momente të vështira për shqiptarët dhe për Kosovën, zoti Blair ka deklaruar publikisht dhe unë po e perifrazoj premtimin e tij ku i garantoi refugjatët se do të ktheheshin në shtëpitë e tyre” dhe kjo ka qenë ajo fjalia e tij, e cila më ka dhënë forcë dhe më ka ndihmuar si pjesëtar i një populli që jetonte momente të vështira”, thotë z.Kosumi.

Duke kujtuar takimin me ish-kryeministrin britanik në Londër, zoti Kosumi thotë se kishte marrë mesazhin se Britania e Madhe do të luante rol parësor në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe do ta përshpejtonte procesin.

Vlerësimet e larta për z.Blair nuk mund të zhduken në Kosovë, pavarësisht nga koha që ka kaluar.

Drejtori i Televizionit 21 në Prishtinë, Eugen Saraçini që ishte në mesin e pak gazetarëve që patën rastin ta ndjekin vizitën e tij të parë pas luftës, thotë se ish-kryeministri britanik i ktheu Kosovës dritën në fund të tunelit, përmes së cilës ajo po e shikonte perspektivën.

“Tony Blair është ndër personalitetet më të fuqishme dhe unë e kërkoja me sy ta shihja atë fuqi të tij. Ai ishte jashtëzakonisht i lumtur që ishte në Prishtinë dhe kjo shihej nga fytyra e tij”, thotë z.Saraçini, duke kujtuar transmetimin e drejtpërdrejtë në radio të vizitës së parë të z.Blair në Kosovë.

Engjellusha Morina, Drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, ishte në Angli në kohën kur Tony Blair u bë kryeministër. Ajo thotë se angazhimi i tij në prapaskenë për përfundimin e luftës në Kosovë ka qenë akoma më i madh nga ajo që dihej publikisht.

“Janë disa dokumente, të cilat unë i kam shikuar në BBC, ku shpjegohet se ky ka qenë kyç prapa skenës për inicimin e sulmeve të NATO-s dhe në bindjen e presidentit të atëhershëm, Bill Clinton për intervenim”, tha zonja Morina.

Edhe vlerësimet e qytetarëve shqiptarë të Kosovës pa marrë parasysh moshën, gjininë apo përkatësinë e tyre politike, janë shumë të larta për ish-kryeministrin Blair dhe kontributin e tij për atë që cilësohet liri e Kosovës dhe popullit të saj.

Prishtina është dekoruar me flamujt e Britanisë së Madhe dhe me posterët e Blair, i cili së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen se kanë meritën kryesore në hapat për t'i dhënë fund të luftës.

Toniblerat e vegjël të Kosovës, për herë të parë do të kenë rastin ta takojnë liderin botëror, emrin e të cilin e mbajnë me krenari.

BBC

KOMENTE