English

PD: Rama refuzoi rezolutën e Parlamentit Evropian

Tiranë, 9 korrik, NOA – Selia blu ka reaguar sot pas takimit te përjavshëm të liderit të opozitës, Edi Rama duke deklaruar se “Edi Rama deklaroi publikisht se nuk e pranon Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar dje me konsensusin e gjerë të grupeve politike në Strasburg”.

Deputeti i PD-së, Osman Metalla në emër të selisë blu theksoi se “zoti Rama hodhi poshtë në përgjithësi Rezolutën dhe sidomos pikën 6 të saj”.

Duke iu referuar kësaj pike Metalla citoi se rezoluta vëren se “marrëveshja kryesore për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor, për të hetuar mbi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, ku kryetari dhe shumica e të cilit të zgjidhen nga opozita, dhe me mandat për të hetuar materialet zgjedhore, duhet të zbatohet sa më shpejt, të jetë e mundur; dhe thekson se ky komision hetimor duhet t’i paraqesë konkluzionet e tij në kohën e duhur për t’i mundësuar parlamentit miratimin e legjislacionit të ri, mjaft para zgjedhjeve lokale, mbi bazën e konkluzioneve të komisionit dhe propozimeve të bëra nga OSBE/ODHIR”.

Metalla nënvizoi se “Edi Rama i gjendur në panik dhe dëshpërim të thellë pas votës së djeshme në Parlamentin Evropian, ku u votua për të mbështetur Shqipërinë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa kaluar 24 orë, refuzoi të marrë përgjegjësitë e qarta që i kërkon ky dokument”.

Selia blu i kujtoi kryesocialisti Rama se “ligji zgjedhor në nenin 178 të tij saktëson se materialet zgjedhore janë procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalet e numrit të fletëve të votimit, dhe jo fletët e votimit.

Duke iu referuar thënies së Ramës se nuk do të lejohet të digjet asnjë fletë votimi, Metalla sqaroi më tej se “i njëjti nen

saktëson se, me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit, të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikqyrjen e KQZ-së”.

“Kryetari i Partisë Socialiste është i vetmi politikan në botë, i cili pranon vetëm gjysmën e një neni, dhe jo gjysmën tjetër të tij, për shkak se nuk i intereson. Refuzimi i rezolutës së Parlamentit Europian nuk është rasti i parë dhe as fenomen i shkëputur në qëndrimet e zotit Rama ndaj mesazheve të institucioneve ndërkombëtare. Të njëjtën gjë ai ka dëshmuar edhe në rastin e Këshillit të Europës dhe të pëpjekjeve të tjera të faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë një zgjidhje situatës politike në Shqipëri”, vlerësoi deputeti Osman Metalla.

Sipas Metallës, ky rast më i fundit i saktësimit në rezolutë do ta bëjë Ramën të kuptojë peshën reale që ka Parlamenti Evropian në vendimarrjen politike të BE-së, në raport me Shqipërinë dhe me procesin e saj integrues.

mit/NOA

KOMENTE