English

PS: Bilanci aktual i vdekjeve në Shqipëri, si në kohë lufte

Tiranë, 9 korrik, NOA – Bilanci aktual i vdekjeve në Shqipëri është si në kohë lufte dhe për këtë ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha duhet që të japë llogari.

Një fakt të tillë, e ka pohuar deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, në shenjë reagimi për deklaratat e ministrit Basha sot, lidhur me situatën aktuale në vend kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

“Lulëzim Basha është njeriu i fundit që mund të flasë për luftën ndaj trafiqeve dhe krimit. Në fakt, ai para se të bëhej ministër i Brendshëm duhet të ishte para drejtësisë e jo t’i bënte bisht asaj”, tha Qefalia.

Duke shtuar se ndaj tij rëndojnë akuza të rënda korrupsioni që kapin vlerën e miliona eurove, dhe që ky ministër i ka lënë pa përgjigje.

“Është e turpshme që Ministri i Brendshëm nuk thotë asnjë fjalë për situatën e rendit, ndërkohë që bilanci i humbjes së jetëve në Shqipëri është bilanc lufte”, e përfundoi ai deklaratën e tij.

n.e/NOA

KOMENTE