English

Berisha: Bojkoti i Serbisë në aktivitete, të mos ndodhë më

Dubrovnik, 10 Korrik, NOA Update – “Eshtë një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm, në kuptimin që këtu ishin të pranishëm Kryeministri i Francës, i Polonisë, i Sllovenisë, i Bullgarisë dhe të tjerë. Të gjitha janë vende anëtare të BE dhe u shprehën qartë për perspektivën e sigurt evropiane të Shqipërisë, në mënyrë eksplicite kryeministri i Francës dhe të rajonit në përgjithësi”.

Kështu e komentoi Samitin e Dubrovnikut, pas ditës së parë të tij, kryeministri Berisha i pyetur nga mediat e pranishme në këtë aktivitet:

“Unë mendoj se ky takim ishte shumë i dobishëm, sepse këtu shkëmbehen pikëpamjet për të gjithë problematikën që ekziston në vende dhe në rajon, si dhe krijohet një kuptim më i qartë, më i mirë për të gjitha zhvillimet. Pra, unë mund të them se ky ishte një Samit vërtetë shumë i dobishëm ku dhe oratorët shprehën vizionin e tyre tërësisht në mbështetje të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit”, tha më tej ai.

Duke përfunduar se në lidhje me bojkotin e Serbisë, se “kjo absolutisht, është një gjë që duhet të mos ndodhë”.

“Sepse, edhe njëherë, dua të theksojë se ideali evropian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejt”, përfundoi kreu i qeverisë shqiptare prononcimin e tij lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE