Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fqinjësia delikate
English

Fqinjësia delikate

Ata që rrahin gjoksin në Bruksel ose në Paris mund të flasin si t’ua dojë qejfi. Por, asgjë nuk ndodh derisa Angela Merkel të mos pajtohet

Nga “The Economist” Skena diplomatike është një art i bukur, bashkazi me sistemin e saj të kodeve dhe shenjave. Të zhvillosh një “bisedë të hapur" do të thotë të kacafytesh ashpër. T’i "mirëpresësh rekomandimet" nënkupton t’i gjuash ato sugjerime në shportë bërlloku. Në retorikën diplomatik frënge, kur përmendet fjala naturellement, zakonisht mendohet e kundërta. Lojërat e shfaqjes janë rutinë e përditshme e diplomacisë. Por, në aspektin afatgjatë, nuk është e mundshme që dy versione të kundërta të mund të dalin të dyja të vërteta. Kur është fjala për marrëdhëniet me Gjermaninë, Franca po vuan nga ajo që psikologët e quajnë disonancë kognitive. Presidenti Nicolas Sarkozy dhe Kancelarja Angela Merkel i ngjajnë dy fqinjëve që grinden, por që janë të dënuar të jetojnë së bashku pavarësisht dallimeve të tyre. Ata janë të lidhur me historinë e pasluftës dhe me një rrjet të lidhjeve institucionale mes ministrave, zyrtarëve, ushtarëve dhe studentëve. Megjithëse konsiderohen si "reciprokisht të padurueshëm”, siç deklaroi një ish-ministër europian i punëve të jashtme, fqinjët e kanë gjetur mënyrën për t’ia kaluar mirë. Ata buzëqeshin së bashku para kamerave, japin deklarata të përbashkëta dhe mbajnë mbledhje të përbashkëta të Qeverive. Bien dakord për t’i tatuar bankat, për rend më të madh financiar dhe një "Qeveri Ekonomike" për Europën. Ata deklarojnë se - siç bëri Sarkozi pas bisedimeve me Merkel në Berlin, muajin e kaluar - "më shumë se kurrë, Gjermania dhe Franca janë të vendosura të flasin me një zë". Në fund të fundit, që kur Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer nënshkruan marrëveshjen historike në 1963, secili çift franko-gjerman në mënyrë të pashmangshme i ka pasur edhe momentet e veta të ndërlikuara - mendojeni armiqësinë e François Mitterrand ndaj ribashkimit të Gjermanisë së Helmut Kohl’it - vetëm për t’i zgjidhur ato më vonë. "Franca dhe Gjermania kurrë nuk kanë qenë partnerë të natyrshëm", thekson një zyrtar francez. "Gjithmonë është dashur të punohet shumë për arritjen e marrëveshjeve". Sidoqoftë, një perceptim i kundërt thotë se këto dy vende janë më shumë si një çift në prag të divorcit: pajtohen për pak gjëra, dhe aq më pak i besojnë njëri-tjetrit. Merreni parasysh grindjen rreth Qeverisë Ekonomike. Francezët duan ta krijojnë një bllok të eurozonës që do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me Bankën Qendrore Europiane, si dhe harmonizim fiskal. Gjermanët e kundërshtojnë këtë. Ata këmbëngulin në një grupim më të gjerë, të mbështetur nga disiplina strikte buxhetore dhe sanksione të ashpra për veprime të këqija. Fyerjet janë duke shkuar para dhe mbrapa mbi Rajnë. Francezët nuk mund ta ndalin veten për të mos i provokuar gjermanët. Sarkozy pohoi se paketa e shpëtimit të eurozonës, që kapi vlerën prej 750 miliardë eurosh, ishte "95% franceze". Pierre Lellouche, Ministrit të tij për Europë, i rrëshqiti një referencë ndaj Auschwitzit kur foli për këtë paketë. Nga ana e saj, Angela Merkel e nervozoi Francën kur shpalosi planin e kursimit, ndërkohë që francezët po bënin thirrje për stimulim më të madh. Çifti nuk mundi të pajtohej as për atë se faji i kujt ishte që takimi i tyre muajin e kaluar në Berlin u anulua vetëm disa orë para se Sarkozy të nisej nga Parisi. Zyrtarët francezë duket se nuk e pranojnë që dallimet e tilla mund të jenë serioze. Megjithatë, janë. Balanca e pushtetit midis dy vendeve ka ndryshuar. Gjermania dhe Franca nuk janë më të barabarta sup më sup. Kjo është posaçërisht e vështirë për Francën. Thënë thjesht, politika e saj europiane për një kohë të gjatë ka konsistuar në dhënien e ideve për të cilat kanë paguar gjermanët. Me fjalë të tjera, më shumë Europë ka nënkuptuar më shumë Francë. Por, ky ekuacion më nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Ndryshimi është pjesërisht ekonomik. Në periudhën 1999-2009, hisja e eksporteve të Francës në BE u tkurr, ndërsa ajo e Gjermanisë u rrit. Vitin e kaluar, edhe holandezët eksportuan më shumë se francezët. Gjermanët janë pajtuar me rritjet e vogla të rrogave dhe buxhetet e shtrënguara për ta mbajtur industrinë e tyre konkurruese dhe rregullin në financat publike, ndërsa francezët e kanë shtyrë reformën serioze dhe kanë krijuar borxh të madh publik duke punuar javë më të shkurtra dhe duke bërë më shumë pushime. Gjermania nuk sheh arsye pse duhet të marrë leksione si të veprojë nga një shtet i cili vetë nuk është përpjekur shumë. Një faktor tjetër është ndryshimi politik në Gjermani. Siç thotë Wolfgang Proissl në një punim për think-tankun Bruegel, kriza e eurozonës e ka ekspozuar realitetin e ftohtë, sipas të cilit, Gjermania është fuqia më e rëndësishme e Europës. Rrahagjoksat në Bruksel ose në Paris mund të flasin si t’ua dojë qejfi. Por, asgjë nuk ndodh derisa Angela Merkel të mos pajtohet. Plot 20 vjet pas ribashkimit, Gjermania është duke treguar se është arkëtarja kryesore e BE’së, dhe më nuk ndjen nevojë për t’i kënaqur të tjerët. "Më nuk mund ta quani çift franko-gjerman", ankohet një ish Ministër i Jashtëm i Francës, "sepse Gjermania e ka gjetur vendin e saj si numri një i Europës". Shtojani kësaj përzierjeje përndezëse edhe dy liderë që nuk e kuptojnë njëri-tjetrin, as kulturën e njëri-tjetrit, bile as gjuhën e njëri-tjetrit. E çelikta dhe metodikja Merkel mendon se Presidenti i Francës lejon që politika të triumfojë mbi rregullat. I ndryshueshmi dhe hiperaktivi Sarkozy e konsideron Kancelaren e Gjermanisë si të lëkundshme deri në padurueshmëri dhe legalistike. Sistemi federal i Gjermanisë, bashkë me kulturën e kontrollit dhe mbikëqyrjes, qëllimisht e frenon vendimmarrjen e shpejtë qendrore. Tradita centraliste e Francës dhe presidenca e fortë mundëson që Sarkozy të bëjë çfarëdo që i pëlqen. "Është e pamundur që Sarkozy të presë dhjetë minuta", thotë një zyrtar i Brukselit: "Prandaj, ai e ka përshtypjen se Merkel është e ngadalshme. Por, ajo është gjermane". Futja në luftë me tjetrin mund t’i përshtatet të dyve, sepse që të dy kanë vështirësi në shtëpi. Merkel ka nevojë për t’iu treguar votuesve gjermanë se Presidenti Francez nuk është shefi i saj. Sarkozy, përkrahja për të cilin në sondazhe ka rënë në pikën më të ulët, dëshiron t’iu dëshmojë votuesve francezë se ai ende kollitet në Europë dhe në botë, kur ta trashëgojë presidencën e G20, në nëntor. Ka mundësi që - lidhur me çështjen delikate të euros - çifti të bie në ujdi të pjesshme, ashtu siç kanë bërë paraardhësit e tyre. Por, çdo pajtim i arritur me kujdes, përfshirë edhe shfaqjet e unitetit të fuqishëm, është i paracaktuar t’i maskojë dallimet që në një moment do të shpërfaqen përsëri. Prandaj, vini në dyshim të gjitha ato fjalë për harmoninë e çiftit, dhe mbi të gjitha, kini kujdes ndaj çdo deklarate franceze që fillon me - naturellement.

(*) Marrë nga “Express”, Prishtinë

Karikatura, nga Peter Shrank

KOMENTE