English

Kosovë - Thaçi: Besoj Se Opinioni I Gjnd-Së Do Konfirmojë Dhe Qartësojë Të Drejtën Legjitime Për Liri E Pavarësi

PRISHTINË, 10 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Hashim Thaçi në Samitin Kroacia 2010 "Evropa Juglindore në përballje me sfidat globale", që po mbahet në Dubrovnik, tha sot se besonte se Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të konfirmojë dhe qartësojë të drejtën legjitime të Kosovës për liri dhe pavarësi. "Kosova pret së shpejti një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth vendimit sovran për shpalljen e pavarësisë. Besoj që ky opinion do të konfirmojë dhe qartësojë të drejtën legjitime të popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur, pas gjithë asaj çfarë i ka ndodhur", theksoi Kryeministri Thaçi. Zyra e shtypit e Qeverisë kosovare bëri të ditur se Kryeministri Thaçi u shpreh optimist se pas këtij opinioni Kosovën e presin njohje të reja ndërkombëtare. "Do të dëshironim që edhe Serbia përfundimisht të demonstrojë bindjen e saj për realitetin e ri dhe të fillojmë bashkëpunimin e duhur si dy vende fqinje. Kjo rrugë do t'i shërbente paqes, prosperitetit dhe një të ardhme të sigurt të dy vendeve tona", theksoi kryeministri kosovar. Ai siguroi se "Kosova është e gatshme të luajë rolin e saj konstruktiv dhe tashmë e ka bërë të qartë orientimin e vet për bashkëpunim me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë, me qëllim integrimin në strukturat Veri-Atlantike". "Me shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova ka rikonfirmuar përkushtimin e saj si faktor stabiliteti në rajon. Pavarësia ka krijuar horizont të ri zhvillimor për popullin e Kosovës", theksoi Thaçi. /s.s./
KOMENTE