English

Kronologji - Bosnje - Faktet Kryesore Deri Në Masakrën E Srebrenicës

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/ - Më poshtë vijon një kronologji e luftës së Bosnjes deri në masakrën e Srebrenicës. - PRILL 1992: Fillon lufta në Bosnje. Ushtria serbo-boshnjake avancon deri sa pushton 51 për qind të territorit boshnjak. Shumë nga mijëra myslimanët e vendit strehohen në Srebrenicë, një qytet me 36 mijë banorë, prej të cilëve 75 për qind myslimanë. Më mbërritjen e refugjatëve popullsia arrin në 60 mijë banorë dhe rezervat e ushqimeve, ujit dhe mjekimeve ishin të pamjaftueshme. - JANAR/MARS 1993: Serbët filluan rrethimin e qytetit. Srebrenica dhe qyteti i vogël e Zepas mbetën të izoluara dhe të rrethuara nga territore të kontrolluara nga serbët. - PRILL 1993 Srebrenica, Zepa dhe Gorazde, në lindje të Bosnjes, u caktuan si tre nga gjashtë zonat e mbrojtura nga OKB-ja. Misioni mbrojtës i Kombeve të Bashkuara (Unprofor) angazhon trupat e tij dhe sulmi i ushtrisë së Republikës serbe të Bosnjes ndalon. Por Srebrenica mbetet e izoluar, dhe në dy vjet, vetëm pak ndihma humanitare arritën të mbërrinin. - MARS 1995: Presidenti serbo-boshnjak Radovan Karaxhiç urdhëron se Srebrenica dhe Zepa nuk mund të ndihmohen nga OKB-ja. - 9 KORRIK 1995: Karaxhiç jep urdhrin e ri për pushtimin e Srebrenicës. Ushtria serbo-boshnjake, drejtuar nga gjenerali Ratko Mlladiç, e rrethon qytetin dhe sulmon pikat holandeze të kontrollit, duke marrë peng 30 ushtarë. - 10 KORRIK: Ushtria serbo-boshnjake fillon të bombardojë qytetin. Forcat holandeze i kërcënojnë serbët se do të kërkonin ndihmën e bombarduesve të NATO-s nëse ata nuk do të tërhiqeshin deri në mëngjes. - 11 KORRIK: NATO nuk i sulmon tanket serbe në portat e Srebrenicës. Ushtria e Mlladiç kërcënon se do të riniste bombardimet dhe se do të vriste ushtarët holandezë që kishte marrë peng. Një operacion më i saktë për të ndaluar masakrën u bllokua nga i dërguari i atëhershëm i OKB-së, Yasushi Akashi dhe nga komandanti i kaskave blu, gjenerali francez Bernard Janvier. Në mbrëmje Mlladiç hyn në Srebrenicë. - 11/18 KORRIK: Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë largohen nga qyteti gjatë natës për të gjetur mbrojtje në territoret e kontrolluara nga federata kroato-myslimane. Rreth 7000 mijë arrijnë të kalojnë rrethimin e bazës së Unprofor të Protocarit, në veri të qytetit. Shumë qëndruan jashtë. Kaskat blu nuk bëjnë asnjë rezistencë dhe gjashtë vjet më vonë qeveria holandeze jep dorëheqjen pasi një institut qeveritar doli në konkluzionin se autoritetet dhe ushtria holandeze kishte përgjegjësinë e saj në parandalimin e masakrës së Srebrenicës. Ushtarët e Mlladiç i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Të gjithë meshkujt nga 16 deri në 70 vjeç, por edhe të tjerë akoma më të rinj, u torturuan dhe më pas u ekzekutuan si kafshë. Trupat e tyre u varrosën në varre të përbashkët, 42 prej të cilave janë hapur nga ekspertët e OKB-së. Por edhe sot e kësaj dite, mijëra njerëz rezultojnë të zhdukur. Gjykata Penale Ndërkombëtare e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi (TPI), ka akuzuar 19 persona për masakrën e 15 viteve më parë. Gjashtë prej tyre janë dënuar dhe njëmbëdhjetë presin procesin, ndër ta edhe Karaxhiç. Ratko Mlladiç është ende në arrati. /e.v/
KOMENTE
  • Anizel13:49 - 11 Korrik 2010
    ..Ngushellime te gjithe atyre qe humben familjet ne kete masaker te paimagjinueshme ...te rrenqethet mishi kur e lexon ..dhe nuk e kuptoj se si Serbia perseri ben numra me Kosoven apo Bosnjen ... MOS LUAJ ME ZJARRİN ZONJA SERBI....