English

Opinione/ Liberalizimi I Vizave- Shqipëria Ka Plotësuar Kushtet Shtesë Të Ke-Së

- Opinione - TIRANË, 10 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë në 8 korrik, rikonfirmoi mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa theksoi se lëvizja e lirë e shqiptarëve varet vetëm nga plotësimi i tre kushteve shtesë të vendosura nga Komisioni Europian. Në pritje të misionit të ekspertëve të Komisionit Europian, i cili do të monitorojë nga afër plotësimin e kushteve nga pala shqiptare, politikanët shqiptarë shprehen optimistë për përmbylljen e shpejt të këtij procesi. Në një intervistë për ATSH-në, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço deklaroi se "Shqipëria nuk ka kushte politike për të plotësuar përsa i përket liberalizimit të vizave". Duke u ndalur te kushtet teknike, ai tha se "nuk mund të themi se jemi të përsosur, por administrata shqiptare dhe ministria e Brendshme po punon në këtë drejtim". Sipas tij "Kuvendi ka miratuar Strategjinë për riintegrimin e të kthyerve, ndërsa po intesifikohet lufta ndaj korrupsionit dhe zbatimi i ligjit antimafia që u miratua në parlament". Plotësimi i këtyre kritereve, sipas nënkryetarit të Kuvendit "do ti shërbejë integrimit të Shqipërisë dhe një liberalizimi të shpejtë të vizave për gjithë shqiptarët". I pyetur mbi afatet se kur pritet të merret një vendim pozitiv për këtë çështje, Naço shprehu bindjen se "brenda këtij viti të gjithë shqiptarët do të lëvizin lirisht pa viza në gjithë Europën". Edhe kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Fatos Beja, i cili ishte i pranishëm gjatë miratimit të rezolutës në PE, thotë për ATSH-në se "Qeveria shqiptare ka bërë një punë intensive e përparim të dukshëm në realizimim e të gjitha kërkesave për heqjen e vizave për shqiptarët". Kjo, sipas tij "theksohet në të gjitha dokumentet zyrtare të institucioneve të BE-së, duke përfshirë edhe Parlamentin Europian". "Është njohur publikisht realizimi i kushteve shtesë nga ana e vendit tonë. Është miratuar strategjia e riintegrimit të emigrantëve që eventualisht mund të kthehen në Shqipëri dhe është rritur numri i njerëzve që do të punojnë në sektorin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", tha Beja. Optimist shprehet Beja për ecurinë me zbatimin e ligjit të konfiskimeve të pasurive të vëna nga veprimtaritë kriminale, që do të verifikohet edhe nga ekspertët e Komisionit Evropian gjatë këtij muaji. Miratimi i Rezolutës nga ana e Parlamentit Europian, sipas Bejës "është një hap përpara në drejtim të heqjes së vizave". "Parlamenti Europian u shpreh pozitivisht në seancë plenare, për kërkesën që i ishte drejtuar atij nga Komisioni Europian në 27 Maj 2010, duke kërkuar që procesi të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010", tha Beja. I pyetur nga ATSH mbi procedurat në të cilat do të kalojë më pas ky proces, Beja tha se "në 3 shtator Komisioni për Çështjet e Brendshme i BE-së (LIBE) do të shprehet enkas për këtë gjë". Pas marrjes së presidencës së radhës të BE-së nga Belgjika, Beja informoi se Kryetari i LIBE-s, Lopez Aguilar i ka drejtuar një letër Ministres së Brendshme, Annemie Turtelboom dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Belgjikës, Steven Vanackere, me kërkesën që heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinës të bëhet "në një të ardhme sa më të afërt, aty nga fillimi i vjeshtës 2010". Beja u shpreh shumë optimist për përfundimin e procesit nga europianët, ndërsa theksoi se i vetmi problem që mund të dalë, "janë përpjekjet e opozitës shqiptare, për të provokuar përsëri shtyrje e shkopinj në rrota për realizimin me sukses të këtij objektivi kaq të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët". I pyetur nga ATSH në cilësinë e ekspertit të Partisë Socialiste për marrëdhëniet ndërkombëtare, deputeti Ditmir Bushati u shpreh optimist se shqiptarët do të fitojnë lëvizjen e lirë pa viza në hapësirën "Shengen" brenda këtij viti. Por sipas tij "autoritetet shqiptare kanë ende për të bërë në drejtim të plotësimit të kushteve që ka vendosur KE". "Mbetet ende për tu bërë në drejtim të zbatimit të Strategjisë për riintegrimin e të kthyerve, si dhe zbatimit të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin", tha Bushati. Ekspertë të Komisionit Europian do vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij muaji për të parë nga afër plotësimin e tre kritereve shtesë për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Misioni monitorues do t'i japë Këshillit të Ministrave të BE-së një vlerësim të qartë dhe në detaje për përparimin e arritur në zbatim të Strategjisë për ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE-së, zbatimin efikas të kuadrit ligjor për konfiskimin e aseteve të vëna nga krimi i organizuar dhe për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Plotësimi i këtyre tre kërkesave shtesë është shumë i rëndësishëm për marrjen e një vendimi pozitiv për lëvizjen në hapësirën "Shengen". Ndaj dhe autoritetet më të larta shqiptare kanë siguruar plotësimin në kohë të këtyre kritereve./n.m/
KOMENTE