English

Pjesa Ii/ Civici: Amnistia Fiskale E Domosdoshme, Pritet Te Çlirohen Rreth 2 Miliardë Euro

ron për ATSH-në eksperti i ekonomisë, Adrian Civici- TIRANE 10 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- ATSH: Cili do të jetë efekti ekonomik nga një amnisti fiskale? Natyrisht duhet të kemi parasysh që një amnisti fiskale nga vetë fjala, është një falje, pra në një farë mënyre është një falje që i bëhet shumë parregullsive, shumë informaliteteve dhe fenomeneve negative që kanë ndodhur në ekonomi, biznes, financa, shumë elementë të tillë. Për situatën ku është Shqipëria, kjo është e domosdoshme, sepse kemi nevojë për sa më shumë oksigjen. Dhe ndoshta kjo amnisti fiskale mund të fusë në qarkullim shumë kapitale dhe elemente që do të nxisin punësimin, aktivitetin dhe do të ndikojnë direkt edhe në të ardhurat e buxhetit, aq më tepër, duke patur parasysh përqindjen që diskutohet midis 7-10 % të këtyre kapitaleve që amnistohen, shkojnë direkt në buxhetin e shtetit, ku ndikimi aty është pozitiv. E rëndësishme është që siç ndodh për të gjithë amnisititë fiskale, ajo të bëhet sa më e plotë dhe të jetë e qartë që të nesërmen e amnistisë fiskale, një pjesë dërrmuese e bizneseve të formalizohen dhe të futen në rrjedhën normale të ekonomisë dhe transparencës me të gjithë marrëdhëniet korrekte të sistemit tatimor, doganor, taskave, tatimeve dhe detyrimeve që kemi ne në Shqipëri. Ky është edhe momenti më i rëndësishëm i amnistisë fiskale, i cili nuk duhet të dekurajojë ata që kanë qënë të rregullt në pagesat e tyre, duke menduar se "kur të vijë amnistia fiskale, do të përfitoj edhe unë". Absolutisht kjo s'duhet të ndodhë, sepse nuk janë procese që duhet të ndodhin çdo 2-5 vjet. Ndodhin shumë rrallë dhe janë momente të rendësishme. Unë mendoj se amnistia fiskale nuk është shenjë dobësie, por duhet konsideuar si shenjë vendosmërie për të bërë një hap të madh përpara në drejtim të formalizimit të biznesit dhe jo ta shikojë si nevojë që ka ekonomia apo buxheti për të mbledhur të ardhura në një moment të caktuar. E ritheksoj, është e rëndësishme dita e nesërme pasi të realizohet amnistia. Sa përqind e bizneseve do të futen në rrugën e formalitetit dhe sa i qëndrueshëm do të jetë ky formalitet. Kjo është arsyeja që po punohet me kujdes që të gjitha ligjet që do të ndryshojnë, vendimet urdhëresat etj, të mund të jenë të qëndrueshme dhe të garantojnë këtë. ATSH: A mendoni se opozita do te japë konsensusin, pasi me sa jam në dijeni, ajo mund t'a sulmojë politikisht këtë proces? Natyrisht një amnisti fikale kërkon një konsensus sa më të gjerë dhe në rastin e Shqipërisë mesa duket ka akoma një debat midis pozitës dhe opozitës për amnistinë fiskale. Nëse i referohemi ç'ka thotë opozita, frika e saj është se amnistia fiskale qëllimin kryesor ka që të legalizojë disa biznese, ose disa kapitale të lidhura ngushtë me qeverinë apo Partinë Demokratike dhe mund të bëhet më shumë në shërbim të disa individëve se sa të jetë një reformë e vërtetë fiskale. Por pothuaj në të gjitha vendet e botës opozita reagon në këtë mënyre, duke e shfaqur hapur frikën se kjo do të përdoret për interesa populiste apo poltike. Kjo është edhe arsye që përveç konsensusit me botën e biznesit, shoqërinë civile, botën akademike, amnistitë fiskale kërkojnë konsensus dhe transparencë nga pikpamja politike, ku të gjitha palët të binden se bëhet për qëllime që thuhet dhe nuk janë të fshehura, apo sekondare ku përftojnë vetëm disa. Mbi të gjitha palët duhet të binden që është e qëndrueshme në vite, që të mos jemi të detyruar që pas disa vitesh të bëjmë një amnisti tjetër fiskale. ATSH: Ka disa vende që e kanë ndërmarrë ose po e ndërmarrin këtë proces si ka rezultuar ndërmarrja e amnistisë fiskale në këto vende? Është pozitive sepse nuk jemi vetëm ne që po kërkojmë amnisiti fiskale, pasi vende të tjera si Italia, Moldavia, Franca e vendet e Amerikës Latine kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë amnisti fiskale. Rasti më i fundit është Italia, ku efekti ishte jashtëzakonisht pozitiv, madje është shtyrë dy herë periudha e mbylljes së amnistisë fiskale. Efektin e tregojnë vetë autoritetet italiane që thonë se janë gati 200 miliardë euro të futura dhe të legalizuara nga ky proces, gati 5 herë më e madhe se sa shpresonin kur nisën amnistinë fiskale. Pra tregon që pavarësisht se ne nuk presim atë lloj fluksi si Italia se s'kemi shumë kapitale jashtë, në rastin e Shqipërisë mendohet të shkojë deri në 2 miliarë euro, që gjithsesi, është një shumë e madhe./n.m/
KOMENTE