English

Sport-Botëror/ Uruguaj - Gjermani, "Finalja E Vogël" Në Port Elizabet

TIRANË, 10 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/ - Është një nga ndeshjet më të vështira moralisht për të luajtur. Pak ditë pas zhgënjimit, lojtarët e Uruguajit dhe Gjermanisë duhet të përballen mes tyre në Port Elizabeth, për të siguruar vendin e tretë në Botërorin 2010. Zakonisht tifozët nuk e mbajnë mend skuadrën që përfundon e treta në një botëror, por Uruguajit dhe Gjermanisë i jepet shansi të largohen me fitore nga Afrika e Jugut. Sulmuesi i Uruguajit, Diego Forlan, tha se skuadra e tij ishte shumë pranë kualifikimit në finale. Forlan theksoi se Uruguaji ndihet krenar, që arriti në gjysmëfinale pas 40 vjetësh. Për Gjermaninë, humbja 1-0 ndaj Spanjës është më e dhimbshme, duke marrë parasysh performancat në ndeshjet e fundit. "Është turp, jemi të mërzitur dhe të zhgënjyer. Nuk funksionoi siç e kishim parashikuar", tha trajneri i Gjermanisë, Joachim Loev. Ndërkohë, një gjendje gripale ka goditur kombëtaren gjermane në prag të finales për vendin e tretë ndaj Uruguajit. Në gjendje të rëndë janë sidomos trajneri Joakim Lëv dhe lojtarët Lukas Podolski e Filip Lahm. Probleme ka edhe për Miroslav Klosen, por ai ka një dëmtim në shpinë dhe nuk bëhet fjalë për grip. "Gjatë natës një virus gripi na ka goditur rëndë, ndoshta ka të bëjë me fluturimet, ndoshta nga ajri i kondicionuar apo nga zhgënjimi për humbjen me Spanjën, - tha menaxheri Oliver Bierhof. "Loev ka një problem serioz, por ne po përpiqemi që të jetë në gjendje të ulet në pankinë. Do të presim edhe nëse Klose do të luajë, por nuk duam që ai dhe Lahm të dëmtohen dhe të rrezikojnë sezonin në Bundesligë", sqaroi më tej Bierhof. Ndërsa sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Klose, synon të thyejë rekordin e brazilianit Ronaldo, që ka shënuar 15 gola në Kampionatet Botërore të Futbollit. Aktualisht Klose ka shënuar 14, duke barazuar bashkëpatriotin e tij, Gerd Muller. Ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt kundër Uruguajit është një rast shumë i mirë, por Klose mund të mos luajë për shkak të një lëndimi në shpinë. "Ka probleme në shtyllën kurrizore", tha për Klosen asistenti i trajnerit. Hansi Flick supozoi se në ndeshjen e të shtunës mund të ketë zëvendësime të tjera, për t'i dhënë mundësi për të luajtur edhe rezervave. /a.ke/
KOMENTE