English

Përmbledhje - Bosnje-Hercegovinë - Përkujtohet 15-Vjetori I Masakrës Së Srebrenicës

SREBRENICË (Bosnje-Hercegovinë), 11 korrik /ATSH-AFP/ - Dhjetra mijëra persona përkujtuan sot në Srebrenicë 15-vjetorin e masakrës së 8 000 myslimanëve boshnjakë nga forcat serbo-boshnjake. Kjo tragjedi që ndodhi në korrik 1995, masakra më e përgjakshme e kryer në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore u cilësua si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare. Ceremonitë civile dhe fetare filluan pas orës 09:00 GMT dhe arkivolet e 775 viktimave të mbuluar me një pëlhurë të gjelbër, ngjyra e islamit u varrosën në qendrën përkujtimore të Potocarit, pranë Srebrenicës në lindje të Bosnje-Hercegovinës. Në këtë 15-vjetor rreth 6 500 nga 8 000 viktima u identifikuan nga testet e ADN-së ku 3 749 prej të cilëve do të varrosen në Potocari. Liderë dhe personalitete të botës si dhe presidenti serb, Boris Tadiç morën pjesë në këtë ceremoni përkujtimore për viktimat e masakrës më të rëndë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe të afërm të 8 000 burrave dhe djemve myslimanë që u vranë nga serbët, të cilët pushtuan enklavën e Srebrenicës, në atë kohë nën mbrojtjen e trupave të OKB-së. Hatidza Mehmedovic varrosi sot bashkëshortin e saj Abdulah dhe dy djemtë Almir dhe Azmir, 17 dhe 20 vjeç në atë kohë. "Nuk mund ta besoj se dikush ka qenë në gjendje të kryejë një krim të tillë'', deklaroi kjo grua e cila sjell ndërmend pritjen e gjatë për kthimin e tyre. Mes viktimave që u varrosën sot, dy më të rinjtë ishin adoleshentët 14 vjeçarë në atë kohë. Ramiza Gurdic, 63 vjeç ka humbur gjithashtu dy djemtë dhe bashkëshortin e saj. ''Si mund të harroj, si mund të fal?. Mendoj për ata çdo ditë. Mendoj për djemtë e mi kur shikoj ndonjë fëmijë që ju ngjan atyre, kur shikoj nëpër dyqane që një mama blen veshje për fëmijët e tyre'', theksoi ajo e dëshpëruar. Ka akoma nervozizëm. Hatidza Mehmedovic shprehet kundër pranisë së presidentit serb në këtë ceremoni. "Si nuk i vjen turp që vjen në Potocari, ndërkohë që nuk ka arrestuar ende dy kriminelët më të kërkuar të luftës Ratko Mladiç dhe Goran Hadzic?. Ratko Mladic, ish-shefi ushtarak i serbëve të Bosnjës u shpall fajor për gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare dhe veçanërisht për masakrën e Srebrenicës dhe ndodhet akoma në kërkim. Goran Hadzic është ish-shefi i serbo-kroatëve dhe ai gjithashtu në arratisje dhe i shpallur fajtor nga TPI. Në një mesazh, kryeministri britanik, David Cameron theksoi se ''përgjegjësit e masakrës do të ndiqen pandalur deri sa të dalin para drejtësisë''. ''Masakra e Srebrenicës nuk duhet harruar kurrë dhe ajo është një gjenocid që ka turpëruar gjithë Evropën'', shtoi kryeministri britanik Cameron. "Të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre ju shpreh keqardhjen time të thellë", deklaroi Cameron. Presidenti serb e cilësoi praninë e tij në Srebrenicë si një akt paqeje dhe krijimi të urave mes kombeve të ish-shtetit jugosllav. Pas disa vitesh që Serbia mohoi masakrën, parlamenti miratoi në muajin mars një rezolutë që dënonte masakrën e Srebrenicës. Lufta ndëretnike në Bosnje-Hercegovinë nisi në vitin 1992. Pas tre vitesh, trupat serbe avancuan në Srebrenicë dhe nga frika myslimanët boshnjakë u larguan nga shtëpitë e tyre. Më shumë se 20 000 persona u zhvendosën në Potocari duke kërkuar mbrojtje nga paqeruajtësit holandezë. Por forcat serbe hynë në kamp duke vrarë të gjithë burrat dhe djemtë. Si zonë e masakrës shërbeu dhe fusha e futbollit në Nova Kasaba. Mijëra djem myslimanë u vranë për tu hequr myslimanëve kontrollin e qytetit Tula. Gjatë luftës së Bosnje-Hercegovinës 1992-1995 janë regjistruar 250 000 viktima. Rreth 16 000 kufoma janë zbuluar në 300 varre masive./ /ec/
KOMENTE