English

PS:Të hetohet pasuria e ministrit Prifti, për një vit u rrit me 1.8 milion euro

Tiranë, 11 korrik, NOA – Në qendër të akuzës së selisë rozë ishte sot deklarimi i pasurisë së ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, pasuria e të cilit sipas socialistëve është rritur me 1.8 milion Euro vetëm gjatë këtij viti që ai gëzon postin e ministrit të kabinetit Berisha.

Deputeti i PS-së, Ervin Koçi, ngriti në një konferencë për shtyp pikëpyetjet lidhur me këto të ardhura të rritura në mënyrë të menjëhershme, të ministrit Dritan Prifti,, në këtë pozicion përmes koalicionit LSI-PD, ndërsa ekonomia shqiptare është në një krizë të vërtetë.

“Sot gjithë Fieri do të dijë nga buron ky pasurim i menjëhershëm i Dritan Priftit? Si u pasurua me 1,8 milion euro në një vit? Thjesht dhe vetëm duke qenë Ministër? Apo duke shitur liçenca?

Në këtë kontekst pasurimi, selia rozë ka ngritur zërin duke theksuar se “të jesh ministër i kabinetit Berisha, është biznesi më fitimprurës në Shqipëri”

“Viti 2009, ishte viti i krizës ekonomike për shqiptarët, por dhe viti i akumulimit të energjisë, që shpërtheu më pas në përmbytje për zonat e veri-lindjes së vendit. Përgjegjës për administrimin e ujit në rezervuarët e HEC-eve në muajt nëntor, dhjetor ishte ministri Energjitikës, i cili nuk e kishte mendjen të ruante shqiptarët nga fatkeqësitë e dorës së njeriut, por përkundrazi, mendonte si të bënte miliona euro në kurriz të shqiptarëve dhe të fateve të tyre”.

Sipas selisë rozë ky është çelësi që zbulon të ardhurat e majme brenda një viti krize ekonomike, për ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti.

Për Partinë Socialiste, ky shtim pasurie prej 1.8 milion Eurosh brenda vitit të detyrës së tij si ministër, që u publikua në deklarimin e tij zyrtar të pasurisë, nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse me përfitimin e tij nëpër tendera, të cilat ministri Prifti i kontrollon prej një viti.

Deputeti i PS-së, Ervin Koçi duke aluduar se koalicioni LSI-PD është një koalicion përfitimi të ardhurash në kurriz të shqiptarëve, apeloi organet e drejtësisë që të kontrollojnë burimet e të ardhurave të ministrit Prifti, duke nënvizuar se “Drejtësia duhet të veprojë për të sqaruar shqiptarët si mund të shtohet pasuria e një Ministri me 1.8 milion euro gjatë vitit që ai ka qenë ministër i kabinetit Berisha dhe pse kjo pasuri nuk ka patur rritje të tilla edhe gjatë viteve të mëparshme kur Prifti nuk ishte në koalicionin korruptiv me Berishën”.

mit/NOA
KOMENTE