Durres: Fasada Te Reja Per Godinen E Keshillit Te Qarkut
					  -Investimi prej 40 milion leke edhe për shtimin e një kati - 
     DURRES, 12 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Fasada e godinës së prefekturës dhe këshillit të qarkut në Durrës do të ndryshojë plotësisht dhe shtesa e një kati mbi të, do të shërbejë për ndërtimin e një salle konferencash.          
     "Godina në sheshin qëndror të qytetit është ndërtuar në fund të viteve 70-të, ndaj një investim prej 40 milion leke nga këshilli i qarkut për rikonstruksionin synon t'i japë një pamje të re të gjitha fasadave", tha për  ATSH-në drejtori i departamentit të Urbanistikës pranë tij, Mikel Koja.
     Sipas tij, godinës do t'i shtohet një kat tjetër me sipërfaqe të përgjithshme 360 metra katrorë, ku bashkë me sallën e konferencave, do të ketë edhe zyra dhe mjedise të tjera shërbimi. Godina e këshillit të qarkut ka dy korpuse njeri pas tjetrit me përkatësisht 4 dhe 3 kate, fasadat e të cilave do të ristrukturohen plotësisht duke respektuar parimet e planit rregullues që do të zbatojë bashkia në sheshin qendror të Durrësit. 
     Brenda godinës parashikohet edhe instalimi i një ashensori në shërbim të qytetarëve dhe të personelit, shtoi ing. Koja.
     Godina, që u ndërtua 30 vjet më parë, në të njejtën kohë me ndërtesat e ish- komiteteve të Partisë së Punës në disa qytete të vendit, në fillim të viteve 1990 ndryshoi plotësisht destinacion dhe në zyrat e saj u vendosën institucionet e Këshillit të Qarkut dhe të Prefektit.
     Bashkë me ndërtesën e teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe të Bashkisë, që ndodhen përballë njera tjetrës, godina e këshillit të qarkut dhe xhamia e madhe mbyllin anën perëndimore të sheshit "Liria", hapësira më e madhe publike në qytetin antik.
     Punimet që kanë nisur këto ditë do të përfundojnë në fillim të vitit 2011 dhe zbatues është firma "Aurora", u shpreh Koja. /a.ke/ 				
				
				

 
    