English

Mozaiku I Mhk-Së, Turku: Vepër E Rrallë E Trashëgimisë Sonë Kulturore

TIRANË, 13 Korrik / ATSH- Suada Daci/- Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, inspektoi sot punimet në mozaikun e Muzeut Kombëtar në Tiranë, duke vlerësuar se "është një vepër e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore". Në një prononcim për mediat, Turku tha se "kjo vepër është ndërtuar rreth 30 vjet më parë dhe sigurisht që vetë koha, kushtet atmosferike e kanë dëmtuar", duke shtuar se "është një rast i mrekullueshëm që pas 30 viteve krijohet mundësia për të studiuar të gjitha dëmtimet që ka pësuar ky mozaik". Duke u ndalur te restaurimi i mozaikut zv/ministrja Turku tha se "kjo është faza e parë e një projekti, i cili do të vazhdojë me vonë, ku po hulumtohet dhe po studiohet për të gjitha dëmtimet që ka pësuar ky mozaik nga specialistët e Institutit të Momunenteve të Kulturës dhe Drejtoria Rajonale e Tiranës". Turku bërir të ditur se "pasi të mbarojë proçesi i hulumtimit dhe të bëhet studimi, do të ketë një tjetër projekt, ku do të fillojë menjëherë ndërhyrja". Ndërsa Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, Arbër Kadia, tha se "mozaiku është në një gjendje të dëmtuar". Sipas tij, "problemet kryesore që vihen re janë në pjesën e materialeve lidhëse që nuk janë lidhur në mënyrën e duhur me llaçin", duke shtuar se,"ky është një proçes i gjatë restaurimi, i cili kërkon kohën e vet, dhe ne si specialistë do ta trajtojmë atë më gjithë rëndësinë që ai kërkon". Mozaiku "Shqipëria" është më i madhi i këtij lloji në vend. Ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar në vitin 1981. Artistët që kanë realizuar mozaikun "Shqipëria" janë Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Tiranë dhe Instituti i Monumenteve kanë rreth 2 muaj që kanë nisur procesin e restaurimit të këtij mozaiku, që pritet të kushtojë rreth 1.5 milionë lekë./s.s./
KOMENTE