English

Sport-Botëror/ "Afrika E Jugut 2010", Tashmë I Përket Historisë

TIRANË, 13 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ .- Kampionati i 19-të Botëror i Futbollit, i mbyllur të dielën e kaluar në "Soccer City" të Johanseburgut me triumfin e Spanjës, i pari në historinë e saj, tashmë i përket historisë. Gjithsesi, shifrat e statistikat simbolizojnë edicionin e parë në kontinentin afrikan. Premiera e parë e Kupës së Botës në kontinentin afrikan u ndoq nga më shumë se 3 milionë spektatorë gjatë 64 ndeshjeve të zhvilluara, me një mesatare rreth 50 mijë shikues për ndeshje. Bëhet fjalë për performancën e tretë më të mirë pas Botërorit të vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara (3.59 milionë shikues në vetëm 52 ndeshje) dhe edicionin 2006 në Gjermani (3.56 milionë shikues në 64 ndeshje). Shifrat e golave nuk janë shumë të kënaqshme. Me 145 gola në 64 ndeshje të zhvilluara - një mesatare prej 2.27 gola për takim - Botërori i 19-të është një nga më pak prodhimtarët në histori. Vetëm edicioni i vitit 1990, në Itali, ka qenë më i varfri në gola: 2.21 gola për ndeshje. Rekordi mbahet në Botërorin e vitit 1954, në Zvicër: 5.38 gola për ndeshje. Kjo Kupë Botë ka qenë me e "urtë" se ajo e mëparshme. Me 17 kartonë të kuq të nxjerrë dhe 254 kartonë të verdhë të dhënë, lojtarët e botërorit të vitit 2010 kanë qenë më të disiplinuar se paraardhësit e tyre të vitit 2006 (307 kartonë të verdhë dhe 285 të kuq). Holandë-Spanjë (0-1, pas shtesave): 100% europiane, finalja e Botërorit afrikan. Në të gjitha historinë e Kupës së Botës, pra në 19 edicione të saj, kjo është finalja e tetë që përball dy ekipe nga Kontinenti i Vjetër, Europës. Shtatë paraardhëset ishin Itali-Çekosllovaki (2-1, pas shtesave) në vitin 1934, Itali- Hungari (4-2) në vitin 1938, RF Gjermane-Hungari (3-2) në vitin 1954, Angli-RF Gjermane (4-2, pas shtesave) në vitin 1966, RF Gjermane-Holanda (2-1) në vitin 1974, Itali-RF Gjermane (3-1) në vitin 1982 dhe Itali-Francë (1-1, pas shtesave; 5-3 me penallti) në vitin 2006. Spanjolli David Vija, holandezi Uesli Shnajder, uruguaiani Diego Forlan dhe gjermani Tomas Myler shënuan të gjithë nga pesë gola gjatë ndeshjeve të Kupës së 19-të të Botës. Por falë tre pasimeve vendimtare, ishte gjermani i Bajernit të Munihut që përfundoi në krye të golashënuesve dhe fitoi "Këpucën e artë". E katërta në grupin F, Italia, kampione e botës në vitin 2006, ishte ekipi i katërt kampion në fuqi në histori që kthehet në shtëpi pa kaluar turin e parë, pas Italisë (1950), Brazilit (1966) dhe Francës (2002). E treta në grupin A, Afrika e Jugut nuk ia doli të kalonte në një të tetat e finaleve. Është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që vendi organizator eliminohet në turin e parë./s.s./
KOMENTE