English

Albtelekom Rrit 8 Herë Kapacitetin E Fibrës Optike Me Italinë

TIRANË, 14 Korrik/ATSH/.- Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Sevket Acar, i pyetur nga gazetarët lidhur me një iniciativë private, publikuar sot në Tiranë, për shtrimin e një kablli për shtimin e internetit, deklaroi se "Albtelecom-i zotëron tashmë një linjë fibër optike që lidh Italinë me Shqipërinë, që zotërohet në bashkëpronësi nga kompania jonë dhe Telecom Italia, një nga kompanitë lider në fushën e telekomunikacionit në botë". Acar tha se kapaciteti aktual i kësaj linje është 2500 Megabit dhe me anë të kësaj linje, ne ofrojmë shërbimet voice dhe internetit jo vetëm për Shqipërinë, por mundësojmë edhe lidhjen e Kosovës me Italinë. Ai vuri në dukje se në një kohë kur ky kapacitet ende nuk është përdorur 100 për qind, ne po punojmë me Telecom Italia-n për të rritur më tej kapacitetet, pasi parashikojmë kërkesë të madhe për përdorimin e internetit në Shqipëri. "Ne mendojmë të hapim Shqipërinë drejt botës nëpërmjet internetit dhe e kemi shpallur vitin 2011 si vit të internetit për vendin tonë", tha z. Acar, i cili bëri të ditur se në një kohë shumë të shkurtër, kapaciteti i linjës me Italinë do të rritet në 20000 Megabit dhe kjo do të thotë një rritje prej 800 për qind ose 8 herë më shumë. Sipas tij, me investimet e kryera nga Albtelecom, Shqipëria është pikë tranziti për Ballkanin dhe Evropën Juglindore në fushën e telekomunikacionit. Kjo, vuri në dukje z. Acar, do të rrisë edhe më tej rëndësinë e Shqipërisë dhe ne kemi kryer të gjitha përgatitjet në këtë drejtim. Mund t'ju them se jemi plotësisht gati t'u japim përgjigje rritjes së kërkesës nga konsumatorët vendas dhe rajonalë. Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Sevket Acar tha se me rrjetin e fibrës optike që ne kemi aktualisht me të gjitha vendet fqinje, mund të sigurojmë lidhje mes Tiranës dhe çdo vendi tjetër në Evropë dhe botë. Për më tepër, tha ai, "së shpejti Albtelecom finalizon projektin për ndërtimin e centralit të parë të internetit (Internet Exchange) në Ballkan dhe më pas interneti dhe e-maili do të jenë shumë më të shpejtë për trafikun kombëtar të përdoruesve. Mbi të gjitha ne po punojmë për të ndërtuar një Qendër të Dhënash (Data Center) në Tiranë dhe në këtë mënyrë do të sigurojmë shërbim për bizneset në Shqipëri dhe vendet e rajonit"./s.s./
KOMENTE
  • Malvina Mesy19:03 - 11 Qershor 2011
    kur do realizohen me ne fund keto perralla qe po thote albtelecomi shqiptare.Ngeli duke mashtruar shqiptaret dhe duke i mare leket per cmimet e shtrenjta dhe per cilesine e dobet te internetit qe po afron ne kete trege. Une kam 3 pika interneti dhe paguaj shpejtesine maksimale qe afron albtelecomi (12 mb/s) dhe shpejtesia vjen njesoj me ate familjare nqs do futet nje kompani tjeter do jem e para qe do bej kete ndryshim FLM