English

Hyseni: Kosova Ka Besim Të Plotë Në Drejtësinë Ndërkombëtare

PRISHTINË, 14 Korrik /ATSH-B.Jashari/. - "Kosova ka besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare dhe në të drejtën për të qenë e lirë dhe e pavarur", tha sot pasdite ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni. Këtë deklaratë ministri Hysemi e bëri pas njoftimit se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të bëhet i ditur më 22 korrik. Ministri Hyseni shprehu besimin se ky mendim këshilldhënës do të jetë në favor të Kosovës. "Për më tepër, nëse mbështetemi në argumentet e fuqishme që para kësaj gjykate janë parashtuar, qoftë gjatë fazës me shkrim të këtij procesi, qoftë gjatë fazës gojore, atëherë edhe mund të shohim me shumë optimizëm që mendimi i Gjykatës do të jetë i favorshëm për Kosovën, përkatësisht gjykata do të rikonfirmojë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran", theksoi ministri Hyseni. Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në fjalimin vjetor të hënën në Kuvend, tha se "mbështetja që ka pavarësia e Kosovës u dëshmua me argumente të fuqishme që i paraqiti delegacioni ynë, po edhe të gjitha shtetet që paraqitën deklarata me shkrim apo deklarata gojore në përkrahje të ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë". /s.s./
KOMENTE