English

Kosovë: Kryeministri Thaçi Shkarkon Zëvendësministrin E Transportit

PRISHTINË, 15 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shkarkoi sot Gjergj Dedaj nga detyra e zv/ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. "Këtë vendim Kryeministri Thaçi e ka marrë, bazuar në konkluzionet e kontrolleve nga organet kompetente, që flasin për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që Dedaj ka bërë gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e zv/ministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale", njoftoi zyra e kryeministrit kosovar. Ky veprim i Kryeministrit Thaçi vjen në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe është në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive, në shërbim të interesave të qytetarëve të vendit", bën të ditur njoftimi. Dedaj është kryetar i Partisë Liberale të Kosovës dhe deri para dy muajsh ishte zv/ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, por riformatimi i Qeverisë e hoqi nga ky post. /s.s./
KOMENTE