English

Mendjeshkurtësia në parashikime

Duke filluar nga projektet pa limit të kostos totale e deri te shpenzimet për mitingjet e festave të sajuara si kundërpërgjigje ndaj protestave të opozitës, kanë rrjedhur pasojat të pashërueshme për buxhetin dhe ekonominë e vendit duke detyruar tashmë qeverinë të propozojë shkurtime në investimet publike

Nga Ermelinda Meksi/ Foto: NOA/LSA

Qysh para zgjedhjeve të fundit Partia Socialiste ka paralajmëruar opinionin publik mbi papërgjegjshmërinë fiskale të qeverisë që ka shkelur një sërë parimesh të financave publike si : rritja e shpenzimeve ndërkohë që uleshin të ardhurat, thellimi i borxhit dhe tejkalimi i kufijve të deficitit, ndërprerja e marrëveshjes me FMN në kulmin e një krize globale me karakter financiar dhe sjellje të tjera që kishin si qëllim vetëm fitoren e zgjedhjeve, pavarësisht pasojave që sollën prishjen e balancës fiskale dhe tronditjen e ekuilibrit makroekonomik që kishte arritur ekonomia shqiptare jo pa sakrificë në vite.

Në mënyrë permanente kemi kërkuar “kthimin në normalitet” të politikave të papërgjegjshme të qeverisë të cilat çuan në rritjen e pakontrolluar të deficitit buxhetor e borxhit publik që siç e thotë tani edhe Fondi Monetar nuk mund të normalizohen në një ditë.

Këtu ne duhet të udhëhiqemi nga eksperienca europiane kur BE duke patur në vëmendje këto probleme në kuadrin e krizës financiare globale dhe asaj europiane, adoptoi së fundi axhendën “Europa 2020”.

Ne asnjëherë nuk kemi anashkaluar efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare, pavarësisht nivelit të ulët të integrimit të ekonomisë sonë në atë globale. Përkundrazi kemi kërkuar me shumë vëmendje për të parashikuar efektet në remitanca dhe bilancin e llogarisë kapitale.

Sot maxhoranca përmendet papritur nga euforia që e kish kapluar dhe kërkon rishikim të buxhetit, kërkesë që qysh në dhjetor e ka ngritur opozita socialiste me argumente dhe shqetësim.

Sot ky veprim është i vonuar dhe shqiptarët duhet ta dinë se gjendja e sotme e ekonomisë edhe për këtë arsye ka sjellë një kosto shtesë, më e madhe se ajo e krizës globale, si pasojë e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të buxhetit të shtetit. Sepse maxhoranca lejoi shpenzime pa logjikë ekonomike.

Duke filluar nga projektet pa limit të kostos totale e deri te shpenzimet për mitingjet e festave të sajuara si kundërpërgjigje ndaj protestave të opozitës, kanë rrjedhur pasojat të pashërueshme për buxhetin dhe ekonominë e vendit duke detyruar tashmë qeverinë të propozojë shkurtime në investimet publike.

Këto shkurtime do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në ekonominë publike dhe pjesën e saj në PBB, ekonominë reale dhe atë private që mund të kontraktohej për realizimin e këtyre shpenzimeve.

Mendjeshkurtësia në parashikime është karakteristikë e politikanëve dhe jo e ekspertëve të financave publike ndaj dhe përgjegjësia për mosrealizimit e të ardhurave të parashikuara është kryekëput e ministrit të Financave dhe shefit të tij. Ishin ata që me papërgjegjshmëri parashikuan për 2010 nivelin e të ardhurave 360 miliard lekë kur fakti 2009 pritej të ishte 300 miliardë.

Kjo shtesë absurde jo reale prej 60 miliardë kur një vit më parë qe vetëm 7 miliardë lekë, tregon se asnjë ekonomist qoftë ky nga sektori bujqësor, nuk mund të jetë kaq i papërgjegjshëm me financat e vendit, kurse ministri ynë e bëri fare thjesht papërgjegjësi për llogaridhënie sot, sepse për të buxheti është një fletushkë dhe jo një nga dokumentet më të rëndësishëm të ruajtjes së ekuilibrave makro që nxisin zhvillimin e ekonomisë.

Ai dhe Kryeministri ndoqën rrugën e rritjes së shpenzimeve ndërkohë që ulen të ardhurat, duke harxhuar miliona euro për bileta avioni, hotele luksi e honorarë për udhëtime turistike alla-diplomatike deri në Azi dhe duke ulur investimet në ekonominë reale nga ana tjetër.

Kjo politikë dritëshkurtër ka vërtetuar konkluzionet e studiuesit të mirënjohur të ekonomisë liberale Ludvig fon Misis sipas të cilit “nëse politikat makroekonomike janë dizenjuar të stimulojnë ekonominë para zgjedhjeve ato do të rrisin koston për rritjen e papunësisë dhe inflacionit pas zgjedhjeve dhe recensioni do ndjek në mënyrë të rregullt paskëtaj zgjedhjet”.

Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipërisë.

Duke analizuar dukuritë kryesore të zhvillimit ekonomik për 2009 vërejmë:

Situata buxhetore e vitit 2009 është karakterizuar nga një rritje e madhe e shpenzimeve buxhetore, ku gjithë shtesa e tyre është realizuar në periudhën parazgjedhore. Konkretisht investimet në 6 mujorin e parë u realizuan 166%, në të dytin 76% dhe në tremujorin e fundit 56%.

Në kushtet kur kjo shtesë shpenzimesh në 6 mujorin e parë nuk qe produkt i rritjes ekonomike (PPB) po i huamarrjes, ky qëndrim do të kthehej shpejt në të kundërtën e vet, sikurse ndodhi në pjesën e dytë të vitit sidomos në fund të tij që shfaqi rënie të ndjeshme të investimeve dhe për rrjedhoje të rritjes ekonomike.

Kjo vijoi edhe në 5 mujorin e parë 2010, kur rritja e investimeve kundrejt 2009 ra në 70%. Kjo praktikë qeverisëse që injektoi ekonominë me investime vetëm për inaugurimet zhurmë mëdha të qershor- korrikut 2009 është forma më abuzive e veprimtarisë reale të qeverisë.

E njëjta situatë po ndodh dhe gjatë vitit 2010 ku të ardhurat shoqërohen me mosrealizime të theksuara që detyruan në uljen e investimeve.

KOMENTE