English

Ruçi për Masakrën e Tivarit: Mos bëni politikë me të masakruarit, ta zgjidhë Kosova

Tiranë, 15 korrik, NOA – Ndërsa kuvendi po diskuton mbi ngritjen e komisionit hetimor për Masakrën e Tivarit, një nisëm e ndërmarrë nga PD-ja, dhe gjetjen e përgjegjësve të saj, sikundër ajo e Ramiz Alisë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi deklaroi nga foltorja se veprimet e mazhorancës mbi hetimin e kësaj ngjarjeje janë të pamatura.

Sipas Gramos Ruçit, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një qeveri të ndërhyjë me hetimin e një çështjeje që i përket sovranitetit të një vendi tjetër, Kosovës.

Duke iu referuar objektit të hetimit dhe vendndodhjes së tij jashtë territorit të Shqipërisë, dhe ç’ka është më e rëndësishmja duke iu referuar faktit se bashkëkombasit në Kosovë kanë tashmë një shtet të tyre dhe gjithë sovranitetin për të vendosur për fatet e historisë së tyre dhe të të masakruarëve në atë territor, Ruçi theksoi se “në objektin e hetimit ka një pikë të përcaktuar qartë mbi gjetjen e përgjegjësve të Masakrës së Tivarit, ndaj apeloi ndaj PD-së, Ruçi, “mos bëni politikë me jetën e të masakruarëve”.

“Ne le t’i dalim për zot territorit tonë dhe jo atij të një tjetri, dhe le të respektojmë shtetin e ri Kosovës, që tashmë është sovran për t’u dhënë zgjidhje problemeve të rëndësishme”, tha Gramoz Ruçi.

Ai i bëri thirrje mazhorancës të mos ndërmarrë veprime të pamatura, që na largojnë nga përgjegjiësitë historike në të shkuarën dhe ndaj atyre që në të shkuarën kanë qenë armiqtë tanë në shekuj.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, shtoi ndërkaq lidhur me bindjet politike të mazhorancës dhe opozitës, se “Ne na ndajnë shumë gjëra, por mos harroni se flamurin e kemi të përbashkët, dëshmorët po ashtu, të tillë i kemi edhe armiqtë e kombit”.

Në këtë kontekst Ruçi duke përdorur një fjalë të urtë popullore i tha nismëtarëve të këtij komisioni hetimor “ndaj për inat të vjehrrës komuniste, mos u bëni me serbët”.

Por, në këtë moment ka ndërhyrë edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila duke theksuar rëndësinë e nxjerrjes së përgjegjësve të masakrës së Tivarit, iu përgjigj dhëmb për dhëmb Ruçit duke i thënë, se “ka edhe nga ata që nënat i kanë patur komuniste”.

Topalli nënvizoi se “e kemi përgjegjësi për të gjetur masakruesit e kësaj ngjarjeje që rëndon më së shumti mbi ish sekretarin e Partisë komuniste, dhe ish presidentin Ramiz Alia.

Masakra e Tivarit ndodhi ndaj rekrutëve shqiptarë nga Kosova, në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë rrugës për në Tivar të Malit të Zi sipas burimeve historike u masakruan rreth 1700-4300 rekrutë.

Kjo ndodhi pikërisht në atë kohë kur nazistët po tërhiqeshin nga territori i ish Jugosllavisë, dhe nga Adriatiku.

Shqiptarët e Kosovës, u rekrutuan për t’u dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat Serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës.

Gjithsej u thirrën si rekrutë 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike, të cilët u dërguan në luftime larg Kosovës, me synimin për ta zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb që do të vendosej pas luftës në territorin shqiptar.

mit/NOA
KOMENTE