English

Vlore: Abuzuan Me Faturat E Energjise, Ndjekje Penale Per Dy Punonjes Te Ossh

VLORE, 15 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Policia e Vlorës nisi sot çështjen penale në gjendje të lirë për dy punonjës të OSSH-së së këtij qyteti, të cilët dyshohet se kanë mashtruar 4 shtetas, duke përvetësuar prej tyre vlerat financiare të faturave të energjisë elektrike për një periudhë, thuajse 2-vjeçare. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, "48-vjeçari Agim Shehu dhe 52-vjeçari Agim Boçi, përgjegjës zone dhe elektriçist pranë OSSH, do të ndiqen në gjendje të lirë pasi ndaj tyre rëndon akuza e vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën". Kallëzimi ndaj Shehut dhe Boçit është bërë nga katër banorë të Vlorës, të cilët i kishin shlyer tek ata me lekë "cash", detyrimet e energjisë elektrike për periudhën 2009-2010. "Jemi habitur kur i kemi parë emrat tek lista e debitorëve për këtë periudhë", janë shprehur 4 qytetarët, të cilët më pas, u janë drejtuar policisë. Pas denoncimit, nisën menjëherë veprimet proceduriale. Tashmë materialet i kanë kaluar prokurorisë për veprën penale "Të vjedhjes e kryer duke shpërdoruar detyrën". /a.ke/
KOMENTE