English

Elbasan: Sektori I Krimit Ekonomik, Sekuestron 80 Lloje Medikamentesh Kontrabandë

ELBASAN, 16 Korrik /ATSH, Miranda Sadiku/ - Sektori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit finalizoi me sukses mesditën e sotme operacionin e koduar "Flour Day", duke sekuestruar 80 lloje të ndryshme medikamentesh, që ishin pa pullën e Ministrisë së Shëndetësisë. Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu gjatë një konference për shtyp tha se "sipas informacioneve të marra në rrugë operative, sektori i krimit ekonomik ka ushtruar kontrolle në farmacitë e tre shtetasve me iniciale P.F 47 vjeç, K.B 50 vjeç, si edhe A. B 32 vjeç, tek të cilat gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 80 lloje të ndryshme medikamentesh pa pullën e Ministrisë së Shëndetësisë". Sipas zëdhënëses këto medikamente mjekësore ishin siguruar në mënyrë të paligjshme në tregun e Tiranës. Nga sektori i krimit ekonomik u kryen veprimet e para proçeduriale, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme. Mësohet se ndaj tre farmacistëve ka nisur proçedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "tregëtim dhe transportim i mallrave kontrabandë"./a.s/
KOMENTE