English

Mjekët: Çrregullimet psikike prekin 1 në 4 familje. Depresioni prek më shumë femrat

Tiranë, 16 korrik, NOA/ Irma Toptani – Ndërgjegjësimi i njerëzve për të kuruar sëmundjet psikike shënon një rritje në vitet e fundit. Këtë e pohojnë vetë mjekët e Spitalit të Psikiatrisë, në Tiranë.

Shefja e urgjencës në Spitalin Psikiatrik, Fatime Elezi thotë se numri i rasteve të pacientëve ndryshon në varësi të stinëve.

“Fluksin më të madh të pacientëve me depresion e kemi në stinën e vjeshtës, dimrit apo edhe në pranverë, pasi edhe tentativat incidare, njohin numrin më të madh gjatë muajve prill apo maj dhe pikun tjetër në nëntor apo dhjetor.

Sipas mjekes Fatmira Elezi, edhe sëmundja e skizofrenisë ruan të njëjtat shifra të sëmurësh gjatë gjithë vitit.

Ndërsa në përiudhën e verës, sipas mjekes, hasen më së shumti rastet e çrregullimit të humorit.

“Nuk ka një ndarje mes gjinive, të dyja sekset preken nga këto sëmundje. Ndërsa depresioni anon më shumë nga gratë”, theksoi shefja e Urgjencës së Psikiatrisë.

Përsa i përket shpeshtësisë së sëmundshmërive të çrregullimeve psikiatrike në mosha madhore apo minore, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i të prekurve nga sëmundjet psikike është “një person në katër familje”.

Por, kjo është një e dhënë nga OBSH, ndërsa në vendin tonë ende nuk ka studime të mirëfillta epidemiologjike.

Sipas mjekëve të sëmundjeve psikiatrike, mendohet se edhe vendi ynë mun të ndodhet në të tilla rezultate, pasi janë të njëjtët faktorë ata që ndikojnë në lindjen e sëmundshmërisë.

Shkaktarët kryesorë të sëmundjeve psikiatrike janë të brendshëm dhe të jashtëm, që do të thotë të trashëguar, por edhe të fituar gjatë jetës, nga stresi, lodhja, jeta sedentare, mjaft shkaktarë të tjerë, që për hir të së vërtetës, rriten ndjeshëm dita ditës.

i.t/NOA

KOMENTE