English

Moratinos: Nëntë Opozitarë Të Tjerë Kubanezë Mbërrijnë Të Martën Në Spanjë

PARIS, 17 korrik /ATSH-AFP/ - Nëntë të burgosur të tjerë politikë kubanezë të liruar nga Havana do të mbërrijnë të martën në Spanjë dhe do të bashkohen me 11 ish-të burgosurit të cilët janë pritur javën e kaluar nga Madridi, njoftoi sot ministri i Jashtëm spanjoll, Angel Moratinos. "Të martën e ardhshme, nëntë të burgosur të tjerë politikë do të mbërrijnë bashkë me 50 anëtarët e familjeve të tyre", njoftoi Moratinos për Radio Nacional de Espana (RNE), që prej kryeqytetit të Kazakistanit Alma Atas, ku ai mori pjesë në një mbledhje ministrore të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE. Këta opozitarë të tjerë do të bashkohen me shtatë ish-të burgosur të cilët kanë mbërritur të martën e kaluar në Spanjë. Këta të fundit u bashkuan të mërkurë me dy prej shokëve të tyre dhe më tej të enjten me dy të burgosur të tjerë të liruar, si dhe me anëtarë të familjeve të tyre. Ata të gjithë bëjnë pjesë në një grup prej 52 opozitarësh të arrestuar në mars të vitit 2003 për veprimtaritë e tyre politike. Qeveria e Raul Kastros njoftoi lirimin e këtyre disidentëve që përpara afro 10 ditëve me rastin e vizitës së shefit të diplomacisë spanjolle. Ky i fundit drejtoi një ndërmjetësim të përbashkët me kishën katolike kubaneze për lirimin e disidentëve. Moratinos theksoi se ardhja e një grupi tjetër ish-të burgosurish dhe të familjeve të tyre e çon në 135 numrin e shtetasve kubanezë të pritur nga Spanja për t'u dhënë atyre shansin e lirisë që Kuba ua refuzon. Ishulli komunist kishte më 30 qershor 167 të burgosur politikë bëri të ditur Komisioni kubanez për të drejtat e njeriut, një organizatë e paligjshme, por e toleruar nga pushteti komunist. /I.Pu.
KOMENTE