English

Aksidenti - Kryetarja E Kuvendit, Topalli, Ngushellon Familjet Mustafa E Marku

TIRANE, 18 Korrik/ATSH/. - Per shkak të aksidentit tragjik, ku humbën jetën 14 persona e u plagosën 12 të tjerë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërpreu aktivitetin zyrtar në Zvicër dhe menjeherë pas mbërritjes u nis për në Fushë-Arrëz. Sipas Zyres se Shtypit te Kuvendit, zonja Jozefina Topalli u ndal për të ndarë dhimbjen me familjen Mustafa, ku nga tragjedia e rëndë humbën jetën bashkëshortët Adem dhe Lavdie Mustafa dhe vajza e tyre e vogël, Edona 12 vjeçe. Bashkë me shumë deputetë të Kuvendit si, Ndue Paluca, Arenca Troshani, Astrit Bushati, Gëzim Dibra, Gjokë Uldedaj etj, Kryetarja e Kuvendit ngushëlloi familjarët që humbën të dashurit e tyre dhe garantoi se shteti do të kujdeset për katër fëmijët që mbetën pa prindërit dhe motrën e tyre. "Jemi të gjithë shumë të shokuar e të tronditur nga kjo tragjedi, tha zonja Topalli. Kjo është një tragjedi e dhimbshme dhe ditë zie, jo vetëm për familjen Mustafa, por për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët". "Lusim Zotin që katër fëmijët e tjerë që ndodhen në spital, të kenë jetën e gjatë. Shteti do të bëjë kujdesin më të madh për shëndetin e tyre dhe do jetë gjithmonë pranë këtyre fëmijëve që humbën nënën, babain dhe motrën e vogë Edona nga ky aksident i tmerrshëm", tha ajo. Kryetarja e Kuvendit dhe deputetët bënë një vizitë ngushëllimi edhe në familjen Marku, familje që ka humbur nusen e shtëpisë dhe fëmijën e vogël të saj 6 vjeç. Humbja e fëmijës 6 vjeçar është një dhimbje shumë e madhe, tha zonja Jozefina Topalli. E po ashtu edhe ndarja nga jeta e nënës së re është një fatkeqësi jashtëzakonisht e rëndë si për ju dhe për të gjithë. Familjarët e familjes Marku thanë se ndërhyrja e menjëhershme e Kryeministrit Berisha ishte shpëtimtare për vajzën e tyre të vogël si dhe për të afërm të tjerë. "Falë ndërhyrjes së Kryeministrit, që na u gjend pranë dhe masave të menjehershme që u morën, u shpëtuan shumë jetë të tjera", u shprehen ata. /a.ke/
KOMENTE