Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Interviste- Fier/ Nga Fermat Bujqësore Shtetërore, Tek Organizimi Privat
English

Interviste- Fier/ Nga Fermat Bujqësore Shtetërore, Tek Organizimi Privat

FIER, 18 Korrik /ATSH-Rr.Isufaj/. - Fieri, i pari në shkallë vëndi për prodhimet bujqësore, historikisht është emërtuar "hambari i Shqipërisë", që vazhdon ta ruajë ende, pasi mban peshën kryesore të plotësimit të nevojave të tregut të brendshëm dhe të eksportit me prodhime bujqësore. Qarku disponon gjithsej rreth189 mijë ha tokë, nga të cilat rreth 122 mijë ha janë kultivuar me kultura të ndryshme bujqësore. Vitet e fundit interesi i fermerëve për bujqësinë është rritur ndjeshëm me politikat financiare të qeverisë për subvencionimin e skemave bujqësore-blegtorale, pasi duke i kthyer sytë nga bujqësia, nuk e shohin thjeshtë si një mjet për plotësimin e nevojave familjare, por edhe mjet tregtie në plotësimin e nevojave social-ekonomike bashkë me zhvillimin e biznesit konkurues në tregun vendas dhe të huaj. -Retrospektivë: NB-të, krijimi, organizimi, efiçenca dhe pesha në furnizimin e tregut- Jo shumë kohë më parë, 17 vjet të shkuara, Ndërmarrjet Bujqësore po jepnin grahmën e fundit për të mbyllur përfundimisht epokën e dështuar të prodhimit të organizuar të sistemit komunist, një proçes që nisi me koooperativat bujqësore dhe diçka më vonë NB-të (që përfaqësonin pronën shoqërore mbi mjetet e prodhimit), duke mbyllur misionin e tyre. Ato u shkrinë pasi mënyra e organizimit kishte humbur misionin e vet ndërsa bujqësia kërkoi rrugët e reja në kushtet e proceseve të ekonomisë së lirë. "Në Qarkun e Fierit ushtronin aktivitet rreth 15 NB, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 50 mijë ha", kujton një nga ish-specialistët e vjetër të bujqësisë, sot përgjegjës i Sektorit Këshillimor pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier, Et'hem Bitaj. "NB-të kishin një shtrirje kryesisht në zonën fushore midis lumenjve Vjosë dhe Shkumbin dhe përfaqësonin organizimin më të lartë bujqësor në ekonominë e centralizuar socialiste, duke mbajtur peshën kryesore të furnizimit të popullatës dhe eksportit. NB-të kishin shkallën më të lartë të përdorimit të teknologjisë së kohës dhe drejtimin dhe prodhimin më efiçent", tregon specialisti Bitaj. Në kushtet e reja të zhvillimit shoqëror të vendit, rritjes së shpejtë të popullsisë në qytete, emigracionit dhe çertifikimit të ekonomisë së lirë, ato e humbën funksionin e tyre duke u shkrirë krejtësisht, si pasuri dhe si tokë. "Pasuritë e fermës, stabilimentet blegtorale dhe godinat i kaluan Agjensisë së Privatizimit, të ngritura pranë drejtorive të bujqësisë dhe një pjesë e tyre Agjensisë Shtetërore të Privatizimit. Ndërsa tokat ju ndanë fermerëve dhe specialistëve sipas ligjit" thotë Bitaj. - Organizimi privat, avantazhet, konkurenca, efikasiteti, marrëdhëniet e reja prodhues-tregtar- Në përshkrimin e tij, eksperti i Drejtorisë Rajonale Fier tregon se pas viteve '90 sektori i bujqësisë u braktis për shkak të emigracionit, por dhe efekteve më fitimprurës në disa sektorë të tjerë, ndërsa organizimi privat tregoi epërsinë dhe efiçencën e tij ndaj atij shtetëror. "Avantazhet janë të shumta: e para drejtimi është më efektiv, prodhimi është më i lartë dhe cilësor, ndërsa teknologjia është shumë herë më e mirë se para viteve '90. Sot ka firma dhe ndërmarrje të mëdha, ferma që janë bashkëkohore, që nuk kanë të krahasuar me ndërmarrjet e asaj kohe", thotë Bitaj. Sipas tij "një hektar mollë në kushtet e prodhimit tradicional (tek ish-NB-të) nuk jepte më shumë se 1200 euro në vit, ndërsa nga një pemëtore intensive, si ato që janë sot në Lushnje dhe Fier, veçanërisht në komunat Frakull dhe Tërbuf, arrihet të merret rreth 12 mijë euro në vit për të njëjtën sipërfaqe. Këtu nuk po përmend vreshtat, ullishtet, sektorin perimor ku po zbatohen teknologji bashkëkohore, me të cilat Qarku i Fierit është kthyer në "kryeqytetin" e eksportit të perimeve. Deri tani kemi eksportuar drejt tregjeve të vendeve të BE-së rreth 150 mijë ton perime, bostan, domate, speca, patëllxhane e deri tek farnat," shprehet Bitaj. Territori, kushtet klimatike, ndriçimi gjithëstinor janë trinomi që i japin sektorit bujqësor kurorën mbretërore në shkallë vëndi. "Në qarkun e Fierit mbillen rreth 10 mijë ha perime të cilat janë gjithëvjetore Ne përfaqësojmë sektorin kryesor të prodhimit të perimeve. Për sa i përket atij të serave disponojmë rreth 1/3 në shkallë vëndi me mbi 2 mijë ha sera", tha Bitaj. Sipas tij "vetëm për mbjelljet e reja me ullinj, këtë vit janë 871 fermerë aplikues për subvensionim, 176 të tjerë për ujitjen moderne me pika, pa folur për skemat e tjera ku numri shkon mbi 1500 fermerë". - Drejt privatëve tokat bujqësore me qera 99-vjecare- Duke iu referuar vendimit të qeverisë për dhënien me qera të tokave për 99-vjet grupeve të interesave, Bitaj thotë se ky është një nga hapat më të sigurtë që do të përshpejtojë zhvillimin dhe përshtatjen e bujqësisë sonë me atë të vendeve të zhvilluara evropiane. "Ne kemi ngritur grupet e punës dhe jemi në hapat e parë procedurialë të këtij procesi. Qarku i Fierit ka rreth 20 mijë ha tokë që mund ta përdorë për dhënie me qera .Në këtë fond përfshihen tokat disponibël, tokat e refuzuara dhe ato të pakultivuara" shprehet specialisti i Drejtorisë Rajonale, Fier. Sipas Bitës, është koha më e përshtatshme për t'ju kthyer prodhimit bujqësor, ndërsa mendon se emigrantët duhet të kthejnë sytë nga bujqësia, të sjellin teknologjinë dhe mekanikën perëndimore dhe të përfitojnë nga ligji i ri favorizues i qeverisë. "Ligjërimi i dhënies me qera të tokave bujqësore për 99-vjet, kriza ekonomike që ka përfshirë sektorin e ndërtimit dhe sektorët e tjerë, reçesioni ekonomik global, janë shansi më i mirë që emigrantët të investojnë në bujqësi dhe t'i japin asaj fytyrën bashkëkohore" përfundon Bitaj./a.s//n.m/
KOMENTE