English

Me Të Mbijetuarit E Aksidentit Në Gjegjan

- Drejtori i spitalit Ushtarak, Mihaj: Dy nga 10 të plagosurit, në gjendje kritike - TIRANË, 18 Korrik/ATSH-Ita Semi/- Paraditen e së shtunës, 4 vjecari Mirsad Mustafa, përmbylli pushimet e tij verore në bregdetin e Durrësit, ku prej 15 ditësh kishte pushuar me prindërit, 3 motrat dhe vëllain e tij. Kthimi për shtëpi në Fushë Arrëz, pasditen e djeshme u kthye në tragjedi për familjen Mustafa dhe shumë të tjera që udhëtonin në autobusin e linjës Durrës-Fushë Arrëz, i cili u përmbys në një humnerë në fshatin Dom të komunës Gjegjan, me pasojë, 14 viktima. Mirsadi i mbijetuari i kësaj tragjedie, ka humbur në këtë aksident prindërit dhe një nga motrat e tij, ndërsa dy të tjerat dhe vëllai ndodhen bashkë me të, nën kujdesin e mjekëve në spitalin Ushtarak në Tiranë. "Jam i kënaqur se në Durrës mësova notin", tregon djali 4-vjecar për vizitorët që nuk rreshtin në dhomën e tij, në spital. Ai nuk e di ende që prindërit dhe një nga motrat nuk do të jenë më pranë tij. Dy prindërit Adem dhe Lavdie Mustafa dhe motra e tij 12 vjeçare, Edona, janë përcjellë sot në banesën e fundit, sikurse dhe viktimat e tjera të këtij aksidenti. Mihaj: Dy nga të mbijetuarit, në gjendje kritike Lëvizja është e madhe në mjediset e spitalit Ushtarak në Tiranë, ku prej gati 24 orësh, ndodhen 10 të mbijetuarit e aksidentit tragjik. Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i spitalit Ushtarak në Tiranë Bedri Mihaj thotë se në përgjithësi, të mbijetuarit nga ky aksident e kanë kaluar rrezikun për jetën. Vetëm dy të plagosur, sipas tij, ndodhen në gjendje kritike. Në gjendje më të rënduar shëndetësore paraqitet Anisa, vajza e familjes Mustafa, e cila prej pasdites së djeshme ka hyrë në komë cerebrale. "Nuk dihet kur dhe si do të përmendet", tregon drejtori Mihaj, ndërsa shprehet optimist për shëndetin e motrës dhe dy vëllezërve të saj, përkatësisht Mirlindës, Mirsadit dhe Armandos. Mirlinda ka thyer kockat e kofshës dhe së shpejti do t'i nënshtrohet një operacioni, ndërsa dy vëllezërit e saj janë dëmtuar lehtë. Erikson Gjin Pera është një tjetër i ri, që po lufton me vdekjen. Ai ka pësuar dëmtime serioze në mushkëri dhe pas operacionit në spitalin ushtarak, gjendja e tij do të ndiqet dhe nga një staf i specializuar nga Senatoriumi i Tiranës. E dëmtuar në këtë aksident ka mbetur dhe nëna e tij, Flora. "E ëma e Eriksonit ka thyer dy këmbët dhe pas një operacioni, gjendja e saj pritet të përmirësohet", tregon Mihaj. Gjithashtu dhe Gjon Marku dhe vajza e tij, Albiona kanë pësuar dëmtime të rënda. Babai ka pësuar dëmtime në mushkri, ndërsa vajza dëmtime në tru dhe në kokë. Nën kujdesin e mjekëve në spitalin ushtarak ndodhen dhe Desara Preng Dyzeri dhe faturinoja i autobuzit, Pjerin Zek Kola, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Këta janë pasgjerët e autobusit fatkeq që po trajtohen në spitalin Ushtarak. Pas aksidentit që ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Dom të komunës së Gjegjanit, ata u transportuan me helikopterë në një kohë rekord, brenda një ore në spital, duke shmangur kështu dhe rritjen e numrit të viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike me pasojë 14 të vdekur, mes të cilëve, gra dhe fëmijë./a.gj/
KOMENTE