English

Meta:Osbe Të Mbështesë Reformat Kombëtare Për Realizimin E Kritereve Të Be-Së

ë TIRANE, 18 Korrik./ATSH, A.Gegvataj /- "Respekti për sovranitetin dhe integritetin territorial si dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të mbeten "gur themeli" për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt sigurisë afatgjatë dhe të ardhmes së tij europiane", deklaroi të shtunën zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen informale të MPJ-ve të OSBE-së në Almati (Kazakistan). Drejtoria e MPJ-së bëri të ditur se, të shtunën përfundoi punimet mbledhja informale e Ministrave të Jashtëm të OSBE-së qe u mbajt në Almati. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se theksoi se "OSBE, si partner kryesor i rajonit, duhet të mbështesë reformat kombëtare që synojnë përmbushjen e kritereve të BE-së dhe forcimin e institucioneve demokratike". Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se "prezenca e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor me 7 fusha operimi duhet konsideruar si një aset dhe garanci, që rruga e rajonit drejt sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë është e pakthyeshme dhe do të vazhdojë të jetë e pacenueshme". "Shqipëria pret që Mbledhja e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të OSBE-së të projektojë rrugën përpara për dialogun europian për sigurinë", shtoi Meta, sipas të cilit, objektivat e Samitit duhet të përfshihen në një Plan Veprimi të Integruar që përcakton metodologjinë dhe kalendarin e ardhshëm të rrugës drejt dialogut për sigurinë europiane. Duke iu referuar takimit të lidërve të Europës Juglindore në Duborvnik, Meta theksoi se pati një mirëkuptim që ngjarjet e dy viteve të fundit, përfshirë Pavarësinë e Kosovës, zgjerimin e NATO-s me Shqipërinë dhe Kroacinë dhe se progresi i gjithanshëm në axhendën e integrimit në BE, kanë shënuar kthesë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. "Të gjitha këto procese integruese janë të pakthyeshme dhe tani kërkohet vazhdimësia e reformave të brendshme për të arritur këtë qëllim ambicioz të integrimit europian për të gjithë vendet e rajonit", tha shefi i diplomacisë shqiptare. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta vlerësoi kontributin e OSBE-së për përmirësimin e nivelit të "qeverisjes së mirë", mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe për marrëdhëniet ndër-etnike. Në mbledhjen ministeriale të OSBE-së u diskutua rreth sfidave, me të cilat përballet hapësira Euro-Atlantike dhe Euro-Aziatike në shekullin e 21-të dhe forcimin e pozicionit të OSBE-së në arkitekturën e sigurisë së kontinentit Europian./n.m/
KOMENTE