English

Thaçi niset për në SHBA, do takohet me Bajdenin

Uashington, 18 Korrik, NOA – Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, do të udhëtojë sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku e pret një takim me zv/presidentin amerikan, Xho Bajden.

Lajmi është bërë nga zyra e tij e shtypit, e cila konfirmon se gjatë kësaj vizite ai do të kryesojë një delegacion i përbërë nga autoritetet e larta të këtij vendi, siç është ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

Ky i fundit do të marrë pjesë në mbledhjen e Bordit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të mbahet në Uashington, prej 18 deri më 24 korrik 2010.

Nga ana tjetër, thuhet se në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, kryeministri Thaçi do të ketë takime në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin e SHBA-ve.

Sikundër, mësohet se ai pritet që të zhvillojë takime të nivelit të lartë edhe nga udhëheqësit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërsa në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i qeverisë kosovare pritet që të mbajë ligjëratën me temën "Ndërtimi i të ardhmes euro-atlantike të Kosovës: Sfidat dhe mundësitë para nesh".

n.e/NOA

KOMENTE