English

Aksidenti/ Basha Tek Familjarët E Viktimave: Qeveria Gati Vendimin Per Mbeshtetje Financiare

TIRANË, 19 Korrik/ ATSH/- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha gjatë një vizite ngushëllimi tek familjet e disa prej familjeve të viktimave të aksidentit tragjik në Fushë- Arrëz, ku humbën jetën dy ditë më parë 14 persona, i informoi familjarët, se "me porosi të Kryeministrit Berisha është përgatitur dhe do të miratohet nga qeveria vendimi për mbështetjen financiare për familjet e viktimave të aksidentit". Burime të ministrisë së brendshme bëjnë të ditur se ministri Basha ishte për vizita ngushëllimi në familjet Paloka, Gjoni dhe Marku në Komunën Gjegjan të Pukës dhe tek familja Mustafa në Fushë-Arrëz. Duke shprehur ngushëllimet në emër të Ministrisë së Brendshme, Basha siguroi familjarët e viktimave të aksidentit për mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave shtetërore për përballimin e humbjes së njerëzve të tyre të dashur. Ai informoi familjarët se, "me porosi të Kryeministrit Berisha është përgatitur dhe do të miratohet nga qeveria vendimi për mbështetjen financiare për familjet e viktimave të aksidentit". Familjarët e viktimave të aksidentit të tre ditëve më parë në fshatin Dom të komunës Gjegjan, vlerësuan reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit që u erdhi në ndihmë të mbijetuarve të aksidentit tragjik, duke i transportuar në spitalin ushtarak, si dhe përkujdesjen ndaj të plagosurve nga ana e personelit shëndetësor. Dy ditë më parë një autobuz me pasagjerë, i nisur nga Tirana drejt Fushë-Arrëzit, doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë nga një largësi 400-500 metra në fshatin Dom të komunës Gjegjan. Si pasojë, humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjera janë të plagosur./s.d//a.ke/
KOMENTE