English

"Gerdeci", Dy Te Pandehurit Deliorgji Dhe Pinari Kerkojne Lirimin Nga Paraburgimi

TIRANË, 19 Korrik/ATSH/- Dy të pandehurit e çështjes "Gërdeci", Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari kërkuan sot që të lirohen nga paraburgimi. Kërkesa u bë sot në Gjykatën e Tiranës në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci" nga përfaqësuesit e tyre ligjorë, të cilët pretenduan se klientëve të tyre u kishte mbaruar afati i paraburgimit. Por kërkesa e palës mbrojtëse hasi në këndërshtimin e përfaqësuesve të prokurorisë, të cilët i kërkuan Gjykatës që të mos e marrin në konsideratë. Gjykata vendosi të shprehet për kërkesën e mbrojtjes në seancën e ardhëshme. Mihal Deliorgji, administrator i ish -fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gerdec dhe Ylli Pinari, ish- drejtor i kompanisë shtetërore MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes, janë dy, nga katër personat e arrestuar për çështjen "Gërdeci", ndërsa të pandehurit e tjerë hetohen në liri nga prokuroria. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Çështja "Gërdeci" konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me gjithsej 29 të pandehur dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës. /a.m//n.m/
KOMENTE